Socialistët kërkojnë nga Marjana Koçeku që t’ia dorëzojë mandatin e deputetës, PS-së

15 Qershor 2026, 15:44Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Deputetja Marjana Koçeku ka habitur shumëkënd ditën e djeshme, duke deklaruar se ajo nuk do të jetë më pjesë e Partisë Socialiste.

Koçeku tha se tashmë do të jetë deputete e pavarur.

Vendimi i saj ka ngjallur entuziasëm tek protestuesit, të cilët besojnë se ajo është distancuar nga PS, pikërisht prej protestave të tyre.

Socialistët ndërkohë, kanë mbetur të zhgënjyer dhe shumë prej tyre i kërkojnë që ta dorëzojë mandatin e deputetes tek PS, duke qenë se Koçeku doli deputete si pjesë e listës së mbyllur.

Pra, e ka “dhuratë” në një farë mënyrë nga PS, mandatin e deputetes.

Studentja Helena Kaçe, e cila pak kohë më parë u cilësuar nga Edi Rama si pasardhësja e tij në parti,  shkruan:

“Ka një lloj hipokrizie dhe mosmirënjohje në politikë. Të futesh në Parlament përmes listave të mbyllura, me votat dhe angazhimin e një partie, e pastaj të kujtohesh se ‘idealet e kufijtë moralë’ të shtyjnë të dalësh e pavarur. Pavarësia e vërtetë nuk nis duke dorëzuar teserën e mbajtur karrigën.

Nis duke dorëzuar mandatin. Sepse ato vota që të sollën në Parlament ishin të njerëzve që votuan një logo dhe vision politik. Nëse idealet e tua nuk përkojnë më me atë shtëpi politike, hapi më parimor është tua kthesh mandatin atyre që të besuan. Suksesep aç në rrugëtimin tënd të ri Marjana si e pavarur, po bëje si duhet: Dorëzo mandatin!”

Ndërsa anëtari socialist i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi shkruan se nëse një deputet nuk përfaqëson më forcën politike me të cilën është zgjedhur, atëherë duhet të dorëzojë mandatin, duke theksuar se mandati nuk është pronë personale, por besim i dhënë nga votuesit dhe partia.

"E vlerësoj vendimin e znj. Koçeku për t’iu bashkuar një kauze që sot ka zgjedhur ta quajë edhe të sajën. Megjithatë, është e vështirë të mos vëresh se të gjitha ato kauza që sot i zbulon me pasion kanë qenë aty edhe dje, edhe pardje, madje edhe ditën kur ajo pranoi të bëhej pjesë e Partia Socialiste e Shqipërisë si deputete e sigurt në një nga zonat më të vështira politike të PS.

Kur kauzat kërkonin betejë parlamentare, ajo kishte e ka mandat, zë, karton dhe mikrofon. Sot, pasi ka shijuar privilegjet e përfaqësimit, zgjedh të largohet duke u sjellë sikur sapo ka zbuluar realitetin. Nëse beson se nuk përfaqëson më Partinë Socialiste, atëherë akti politik nuk mbaron te dorëzimi i teserës (që nuk e di nëse e ka) por tek dorëzimin e mandatit.

Mandati nuk është valixhe personale që merret me vete sa herë ndryshon destinacioni apo mendimet e adoleshencës politike. Ai është besim i dhënë nga një komunitet, nga një ekip dhe nga një forcë politike si Shkodra ku socialistët aty kanë bërë beteja që ajo të jetë në Kuvend. Ndaj e dashur Marian, suksese paç, por dorëzo mandatin! Të tjerat pastaj, do të fluturojnë si flamingot. Disa drejt horizontit, disa drejt kamerave. Koha do të tregojë se ku do të ulen", shkruan ai.

Deri më tani, nga Koçeku nuk ka asnjë reagim shtesë, as për arsyet që e çuan të largohet nga PS, as nëse do e dorëzojë mandatin apo jo. (Vox News)


Video