Në emisionin “Opinion”, kryetari i PL, Ili Meta foli për akuzat se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Meta tha se akuzat ndaj tij janë të sajuara nga një person me inicialet A.H. dhe kryeministri Edi Rama.
Sipas Metës, ka qenë pikërisht A.H. që ka dërguar emailin anonim që Autoriteti i Dosjeve të nisi verifikimin. A. H., po kthehet në zyrtarin e dytë që po lakohet nga Ilir Meta, i cili po e shpall gradualisht armik.
“Është personi që ka qenë në zyrën e këtij dhe ka ndërmarrë operacionin e manipulimit të dosjes së një të përndjekuri nga sigurimi, në tentativë për arratisje. Ka çuar këtë e-mail dhe e ka pritur, dhe njëkohësisht ka treguar se ku ishte kjo dosja ku Ilir Meta gjasme përgjonte shokun e tij.
A.H është një person që i ishte premtuar se do bëhej kryetar i Autoritetit. Nëse s’do bëhej drejtor i Autoritetit, do bëhej kreu i SHISH.E dinë të gjithë të gjithë te Autoriteti. Atje brenda është, te Autoriteti është”, ka pohuar Meta.
Po kush është zyrtari A. H., të cilit i referohet Ilir Meta?
Burime për VoxNews thanë se A. H., përkon vetëm me një emër në Autoritetin e Dosjeve. Bëhet fjalë për Altin Hoxhën, aktualisht anëtar i Autoritetit të Dosjeve i propozuar nga LSI në 2016 dhe u zgjodh me 76 vota PRO.
Altin Hoxha ka përvojë të gjatë në fushën e shërbimeve inteligjente, ndërsa ka qenë inspektor në aparatin qendror të SHISH. Hoxha ka mbajtur pozicione si Drejtor i Drejtorisë së Tiranës në SHISH dhe Drejtor i Drejtorisë së Sigurisë në SHISH.