Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim me tone të ashpra gjatë protestës së opozitës përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar forcën që drejton si “shpresën e vetme” për vendin.
“Sot ne mblidhemi këtu jo vetëm si një alternativë e shkëlqyer politike, sot ne mblidhemi këtu në këtë protestë madhështore si shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës, i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se protestat e zhvilluara nga opozita kanë treguar forcën dhe qëndrueshmërinë e saj përballë, sipas tij, një regjimi represiv. “Ne u përballëm si të pamposhtur me regjimin, u përballëm me ujin e helmuar, gazin lotsjellës, shkopinjtë e gomës dhe plumbat e gomës, por fituam”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te pjesëmarrja e ulët në një protestë të thirrur nga shoqëria civile kundër rritjes së çmimit të naftës, duke e lidhur këtë me klimën e frikës në vend. “Absolutisht çdo shqiptar është prekur nga rritja e çmimit të naftës, por pse nuk pati pjesëmarrje? Përgjigja është frika,” tha ai.
Sipas tij, qytetarët ndihen të kërcënuar për vendin e punës dhe jetesën, çka i pengon të reagojnë publikisht.
“Edi Rama me sistemin e patronazhistëve, me presionin mbi punonjësit, me arrestimin e dhjetëra mijëra qytetarëve për faturat e dritave e ujit, ka instaluar frikën tek shqiptarët,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike mbetet forca e vetme që përfaqëson guximin dhe rezistencën ndaj pushtetit.
Berisha u shpreh se PD është shpresa e vetme për Shqipërinë. Kryedemokrati deklaroi se çmimi i naftës në vendin tonë ka taksat më të lartat në botë.
“Kjo qeveri është e korruptuar deri në palcë. Ne kemi zhvilluar protestat më të jashtëzakonshme qytetare. Mijëra të rinj u përballën me regjimin, me plumbat e gomës, por se triumfuan. Jemi shpresa e vetme për Shqipërinë. Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë, kundër vjedhjes grabitqare të Ramës në litrin e naftës. Sot shqiptarët kanë rrogat dhe pensionet më të ulëta në rajon dhe në Europë. Taksa mbi naftën është më e larta në botë”, tha Berisha.
“Në Shqipëri, Lubia me afera që arrijnë në 1.2 milionë euro dhe Edi Rama, bashkë aksioner në 62% të këtyre aferave, jo vetëm nuk dha dorëheqjen, por përkundrazi shkeli vendimet, përplasi dyert e gjykatave dhe u tha shqiptarëve se çështja Balluku është e mbyllur. Edi Rama, ja ku jemi këtu për të dhënë fjalën e nderit se kurrë nuk e mbyllim çështjen Balluku, çështjen tënde, dhe fundi yt do të jetë para gjykatës”, theksoi Berisha.