Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, është pajisur me dokumentacionin nevojshëm, i cili e lejon atë të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Burime për Vox News bëjnë me dije se kryedemokrati pritet të tërheqë pasaportën gjatë paradites së nesërme pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Udhëtimi drejt SHBA-ve parashikohet të zhvillohet javën e ardhshme, ndërsa Berisha pritet të shoqërohet nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, Belind Këlliçi, Albana Vokshi dhe Enri Ceno.
Lajmi për pajisjen e kryedemokratit me vizë vjen vetëm pak orë pasi Berisha deklaroi se dokumentet e tij ndodheshin ende në Ambasadën Amerikane dhe se nuk kishte marrë njoftim për pasaportën.
“Jo, nuk kam pasur njoftim, as orën, as minutat“, theksoi Berisha në konferencë me gazetarët.
Më herët, ai kishte bërë të ditur se nuk kishte planifikuar takime në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Sipas Berishës, destinacioni i vizitës pritet të jetë Teksasi, ku ai synon të marrë pjesë në një konferencë të republikanëve amerikanë, në kuadër të një delegacioni të Unionit Demokratik Ndërkombëtar.
“Dokumentet janë në ambasadën amerikane dhe unë nuk kam prenotuar asnjë takim. Unë shkoj, siç e dini, shkoj në Teksas në konferencën e Partisë Republikane amerikane për zgjedhjet midterm. Unë jam në një delegacion të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, një delegacion i gjerë, i cili është i ftuar nga Partia Republikane, parti kryesore në IDU, për të marrë pjesë në këtë konferencë. Përveç kësaj, unë kam një ftesë dhe nga një institut republikan“, tha Berisha.