“Rama synoi të na asgjësonte, por sot, ne jemi më të fortë se kurrë”.
Kështu u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në 32-vjetorin e themelimit të PD-së në Burrel. Referuar çështjes së zyrtarit të FBI-së, Berisha theksoi se Rama përdori agjenturë ruse e diplomatë të korruptuar dhe Sorosin për asgjësimin e PD-së.
“32 vite më vonë, Edi Rama, pasaardhës i babait që firmosi varjen në litar të poetit Havzi Nela, ka vendosur dhe mendon të finalizojë veprën e tyre kriminale: asgjësimin e opozitës shqiptare. Edi Rama, sot kryeministri më i korruptuar i planetit, ka përdorur të gjitha mjetet për të marrë peng opozitën. Ka përdorur agjenturë ruse, ka përdorur diplomatë të korruptuar, ka përdorur një monstër siç është Xhorxh Sorosi, për asgjësimin e PD-së. Por sot, ne jemi më të fortë se kurrë. Jemi më të fuqishëm se kurrë. Forca qëndron në idealet tona, janë idealet tona, idealet e lirisë, e drejtësisë shoqërore, e interesit kombëtar. Ato janë të përjetshme sa ç’janë kombet të përjetshme. Ato do jetojnë aq sa do jetojë kombi shqiptar. PD do mbetet besnike e përjetshme e tyre”, deklaroi Berisha.
Edhe pas 32 vitesh, u shpreh Berisha Shqipëria është në të njëjtin monizëm dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe demokratëve ta përmbysin atë.
“Sot pas 32 vitesh jemi përsëri në një monizëm, që bazohet te krimi, droga dhe korrupsioni shqiptar dhe ndërkombëtar. Edi Rama, armik i lirisë së shqiptarëve, ia ka dalë që me taksat tuaja, me paratë tuaja, të rekrutojë, në kundërshtim me ligjet e vendit dhe SHBA, njërin nga personat më të rëndësishëm në fushën e sigurisë së asaj toke. Por ky është akt, të cilin duhet ta ndëshkojmë dhe do e ndëshkojnë shqiptarët. Shqiptarët nuk mund të pranojnë një kryeministër që angazhohet në korrupsionin botëror kundër opozitës shqiptare. Ndaj dhe sot, çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare e Matit, Klosit dhe gjithë Shqipërisë janë në një mision historik: përmbysjen e këtij monizmi të urryer. Përmbysjen e këtij monizmi armik të lirisë dhe shqiptarëve, përmbysjen e një njeriu që në shtatë vite përzuri 31 përqind të popullatës, çka nuk ka ndodhur në asnjë luftë, në asnjë vend përveçse në Shqipëri”.