Berisha për protestën e 8 majit: Sfiduat shiun dhe terrorin, protesta pati një jehonë të jashtëzakonshme

11 Maj 2026, 20:59Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në foltoren e radhës që u zhvillua këtë të hënë përpara godinës së Kryeministrisë falënderoi qytetarët që morën pjesë në protestë, duke i cilësuar si “guximtarë” dhe “të pamposhtur” përballë asaj që ai e quajti një “diktaturë”.

Lideri demokrat deklaroi se mbështetësit e opozitës po shkruajnë “një kapitull të ndritur të historisë kombëtare” përmes qëndresës dhe vendosmërisë së tyre.

“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta! Mirënjohjen më të pakufijshme, ju burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, të moshuarve, që po shkruani me guximin tuaj, me qendresën tuaj, me vendosmërinë dhe shpirtin e pamposhtur, një kapitull të ndritur të historisë sonë kombëtare. Po ngriheni viganë, guximtarë ndaj një diktature të bazuar në vjedhjen e shqiptarëve, të bazuar në drogën, krimin, terrorizimin e qytetarëve, varfërimin dhe mjerimin e tyre. Ngriheni dhe dëshmoni para shqiptarëve se jeni të pamposhtur, se kauzën tuaj do ta mbroni me çdo sakrificë.

Ndaj dhe unë, kam një nderim të madh për ju. Kam një nderim të madh dhe të pakufijshëm, për ata dhjetëra e mijëra qytetarët që mbushën më 8 maj bulevardin e Tiranës dhe që u bënë pasqyra, morali, imazhi i vërtetë i shqiptarit, në të katërta anët e kombit, në të katërta anët e dheut.”, tha Berisha.

Kryedemokrati duke u ndalur te protesta e 8 majit, tha se mijëra qytetarë sfiduan kushtet e motit për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë.

“Një ditë shiu të pandërprerë, pas një terrori të gjithanshëm shtetëror, pas një terrori dhe censure mediatike të paparë. Dhjetëra e mijëra qytetarë u mblodhën për të shprehur revoltën e tyre ndaj një regjimi armiqësor, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. U mblodhën për të dëshmuar se ata janë shpresa e këtij vendi, se ata janë elita e guximit të shqiptarëve, se ata janë qytetarët më përgjegjësinë më të lartë para vetes, para familjes, para shoqërisë dhe vendit të tyre. U mblodhën për t’i përcjellë çdo shqiptari, por dhe çdo qytetari të lirë në Europë dhe në botë, se nuk pajtohemi kurrë me këtë regjim, i cili nuk asnjë orë legjimitet. Me këtë regjim, që i shndërron procesin më themelor të demokracisë, zgjedhjet në farsë zgjedhore. Nuk pajtohen me këtë regjim, që për të grabitur zgjedhjet arreston në vitin elektoral, për të mbjellë terror, lidershipin e opozitës si persona nën hetim.”, tha ai.

Në vijim të këtyre deklaratave, Berisha akuzoi qeverinë për përdorim të drejtësisë dhe institucioneve shtetërore për të ushtruar presion ndaj opozitës.

Më tej, Berisha iu drejtua mbështetësve të tij, duke iu thënë se po “shkruajnë një kapitull të ri” në historinë e vendit, pasi sipas tij nuk pajtohen me qeverisjen aktuale dhe me atë që ai e cilësoi si sjellje kriminale të kryeministrit.

“Dhe ju, sigurisht ngriheni të pamposhtur, nuk pajtoheni me një burracak, me një frikacak, që rikthen në Shqipëri skenat e 50 viteve më parë të luftës kundër kundërshtarit politik. Ndaj dhe ju mbushni bulevardin, ndaj dhe ju vini çdo javë në këtë shesh. Ju po shkruani historinë, një kapitull të ndritur të historisë sonë kombëtare, sepse nuk mund të pajtoheni kurrë me këtë vjedhje të tmerrshme, më këtë varfërim të pandërprerë të shqiptarëve.

Nuk ka ndodhur kurrë që, kryeministri për të mbrojtur vjedhjen e tij të bllokojë hetimin, të përdorë mburojë imunitetin, të nxjerrë nga arresti i shtëpisë Lindën e AKSHI-t për të mbrojtur Lindën e Surrelit, e cila ka Lindën e AKSHI-t vetëm si presta nome. Ndaj dhe ju, po shkruani një kapitull të ri, sepse ju nuk pajtoheni kurrë me akte të tilla të një banditi në qeveri, të një krimineli që është i aftë të marrë çdo vendim, që është i aftë të vendosë gjithçka vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij prej krimineli, për krimet që ka kryer.”, shtoi më tej ai.

Në fjalën e tij drejtuar mbështetësve, Berisha u shpreh se protesta pati një jehonë “të jashtëzakonshme” dhe theksoi se opozita mbetet kundër çdo akti dhune. Megjithëse pranoi se janë hedhur fishekzjarre.

“Protesta e fundit e datës 8, kishte një jehonë të jashtëzakonshme. Dhe po e them këtu, të jemi të hapur. Ne jemi absolutisht kundër dhunës dhe ne do qëndrojmë fort. Dhe kjo është forcë, ju garantoj, se kjo është forcë. Non violenca është forcë e madhe. Si kurrë ndonjëherë, në 8 protesta asnjë polic i plagosur, i lënduar, asnjë. Ndonëse, ka prej tyre që janë më kriminelë se çdo kriminel. Po.  Por ne i qëndrojmë parimeve tona.

Pra, në 8 protesta, natyrisht, janë përdorur fishekzjarrë dhe mjete tjera. Do t’u them një gjë. Në të gjithë botën, të gjitha mediat e botës kanë qenë me ju. Jeni përfaqësuar në mënyrën më dinjtoze si qytetarë të lirë”, tha ai.

Lideri demokrat u shpreh se protestuesit përfaqësojnë “ajkën dhe elitën e kombit” në një periudhë që ai e cilësoi si ndër më kritikët për shqiptarët.


Video