Policia thotë se studenti që Rama i nxorri foton si "kriminel", u kap me 1.4 gramë hashash

23 October 2026, 18:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Policia thotë se studenti që Rama i nxorri foton si

Jon Sinoimeri, një student 20 vjeçar i Mjekësisë në Tiranë, ka kundërshtuar nga sheshi i protestës akuzat e kryeministrit Edi Rama se ai nuk kishte asnjë lidhje me protestën studentore dhe për më tepër, sipas tij, ishte person i proceduar penalisht nga autoritetet.

Duke publikuar foton e studentit vetëm me një shirit të zi që mbulonte sytë, Rama tha: “vazhdojmë me J.S: 20 vjeç, por jo student, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, precedent kriminal i regjistruar."

Studenti 20 vjeçar i quajti akuzat ndaj tij të pavërteta duke folur nga protesta e së premtes, ku qindra studentë dhe pedagogë të Mjekësisë ju bashkuan protestës dhe marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.

Sinoimeri tregoi notat e ekselencës dhe tha se hera e parë që kishte qenë në një komisariat policie, ishte më 13 tetor, pasi ishte shoqëruar gjatë protestës dhe u mbajt në komisariat për 7 orë e gjysmë.

Mirëpo, Policia pretendon se rreth një vit më parë, ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit Nr.2 në Tiranë me një sasi të vogël hashashi.

Bëhet fjalë për një sasi 1.4 gramë të ambalazhuar, por që kur procedimi ka shkuar në Prokurori, organi i akuzës nuk ka vijuar më tej me ndjekjen penale të Jon Sinoimerit, pasi një sasi e tillë konsiderohet për përdorim vetjak dhe procedimi ka mbetur vetëm në regjistrat e Policisë së Shtetit.

Komunikata për shtyp e Policisë së Shtetit, për shoqërimin e Jon Sinoimerit:

"Më datë 01.11.2025, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin Jon Ferdinand Sinoimeri, i datëlindjes 07.09.2006, banues në Tiranë, me arsim të lartë në vazhdim, sepse në orën 17:05, në rrugën “Ndreko Rino”, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga punonjësit e policisë të Komisariatit Nr.2, i’u gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale 1.4 (një pikë katër) gr, me amballazh lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa. Neni 283/1 i K.P."


Video