DOSSIER / Pasioni i vjetër i të Gjatit, si u arrit marrëveshja me kryeministren Jorgjie Pjepri

7 Nëntor 2023, 20:43Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I Gjati me Jorgjien arrijne marreveshjen afrikane

TIRANË / ROMË / UASHINGTON / LONDËR – Prej vitesh tashmë, qetësinë e zonave qeveritare të Romës, Londrës, Uashingtonit e prish një krijesë e gjatë që vjen vërdallë duke tërhequr një karrocë ekologjike me bateri litiumi. Nuk është njeri i keq, madje rezidentëve u ka hyrë në zemër sepse është hazërxhevap, tip batutaxhiu e bile ka dhe njëfarë talenti për vizatim.

Gjëja e gjatë sillet nëpër habitatet kryeministrore e presidenciale të Perëndimit dhe bërtet me zërin bariton:

“Hajde soba të vjetra, frigorifera, lavatriçe marrim këtu. Gjëra të vjetra, sende që nuk ju duhen!” 

Qeveritë e huaja nxjerrin te rrugica herë pas here ndonjë boiler të ndryshkur, frigorifer Obodin apo lavatriçe të vjetër çeke, të cilat i Gjati i blen për pak para dhe i çon tek pika e riciklimit në lagjen e vet. Shpesh të huajt nuk i marrin as paratë, nga simpatia që kanë për burrin e vuajtur. Në këmbim, ky në shenjë mirënjohjeje u skicon shpejt e shpejt ndonjë portret të çastit me një copë qymyr.

“Gjynah që ka përfunduar kështu. Është i talentuar,” thonë ata me njëri-tjetrin.

***

Për ata që e dinë historinë e tij, e mbajnë mend se pasioni i të Gjatit për gjërat e vjetra ka filluar qëkur ai ishte i ri. Ishte mahnitur aq shumë nga disa ikona të vjetra bizantine që kishte parë në Berat, Korçë e gjetiu gjatë ekskursioneve me shkollën, saqë kur erdhi vakti, nisi t’i kërkonte e t’i mblidhte nga ishin e nga s’ishin.

“Do prishen, do kalben,” u thoshte atyre që ja sillnin të mbështjella me thasë lecke, “m’i jepni t’i ruaj e t’i restauroj se janë trashëgimia e popullit”.

Edhe kur vendosi t’i hyjë politikës, nxorri mësim nga gabimi i parë, kur deshi të anëtarësohej në një parti të re. Nuk e qasën, dhe që atë ditë bëri be e rrufe se vetëm një parti e vjetër ishte gjëja e duhur për të. I thanë për një parti gërdallë që kishte 50 e kusur vjet që ishte themeluar, dhe atje vajti përfundimisht.

“Me punën time, do t’u bëj edhe më të vjetër nga ç’jeni,” u premtoi solemnisht gërxhove e xhaxhove që gjeti nën çatinë gjysmë të rrezuar të Partisë Socialiste.

***

Dhe në fakt ja doli. E bëri partinë edhe më të vjetër se rivali, i cili kishte nisur të mykej e të zinte pleshta e morra me shpejtësi drite. Aq të vjetër, saqë e solli në pushtet. Por të Gjatin nuk e dehën sukseset. Edhe si kryeministër nuk rreshti së kërkuari vjetërsira lart e poshtë.

Gjëja e parë që gjeti, ishin ca lëndë kimike luftarake të gjysmë shekulli më parë, që Amerika i kishte mbledhur në Siri dhe donte t’i shpërbënte. “Ça thua vlla, silli se t’i çmontoj unë,” tha i Gjati, “edhe ndonjë vjetërsirë tjetër, soba, lavatriçe, ikona bizantine, ça të kesh”.

Por derrat në lagjen e vet, që s’marrin erë nga arti, nuk i deshën lëndët kimike dhe protestuan.

Megjithatë i Gjati nuk e humbi shpresën. Me durim e këmbëngulje, kërkonte nëpër Londër, Paris e gjetkë, t’u jepnin plaçkat që nuk u duheshin. Londra e Parisi pranuan t’i çonin emigrantët shqiptarë që kapeshin pa letra. Ndërsa Roma, e cila historikisht sillte maune me plehra për t’u varrosur në Shqipëri, çuditërisht ja prishi pak terezinë:

“Me gjithë qejf, po shqiptarët tanë janë të gjithë me letra,” i thanë italianët, “nuk t’i japim dot”.

Megjithatë, gjuha e përbashkët u gjet. Së fundi, I Gjati mundi t’i shkëpusë Italisë premtimin se refugjatët afrikanë që donin të vinin në Apenine, do të strehoheshin në Shëngjin, ku mund të luanin tavëll me afganët vendas derisa t’u miratoheshin ose jo dokumentet.

“Le të vijnë tek ne,” i tha i Gjati kryeministres italiane Jorgjie Pjepri, “gjithë Shëngjini flet italisht. Do kujtojnë se kanë ardhur në Peruxhia”.                

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike migratore

Video