I dhanë emrin e tyre ishullit të famshëm të Caprit, por tani numri i shtuar i dhive është shndërruar në problem

26 Gusht 2026, 19:30Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Capri, ishulli i vogël në Gjirin e Napolit, i famshëm mbi të gjitha për detin e tij, duket se ia detyron emrin pranisë së madhe të dhive që kanë jetuar aty që në lashtësi.

Por vitet e fundit, numri i tyre është rritur krahasuar me periudhat e mëparshme.

Sot në ishull ka rreth 90 dhi dhe disa banorë kanë nisur të denoncojnë dëme dhe shqetësime të ndryshme që ato po shkaktojnë.

Në ishull kjo çështje diskutohet prej vitesh, ndërsa ditët e fundit debati u rindez pas një letre dërguar gazetës La Repubblica nga Aldo Policastro, prokuror i përgjithshëm në Napoli.

Sipas tij, prania e tepruar e dhive ka pasur një ndikim të dëmshëm në territorin e malit Solaro, pika më e lartë e ishullit. Policastro përshkruan një situatë me “bimësi të ngrënë, shkurre të zhveshura, bimë të reja, gjineshtër dhe cistus që nuk arrijnë më të rriten, mure të thata të shndërruara në grumbuj gurësh, si dhe shkëmbinj të çarë ose të zhvendosur, me rrezikun që të rrëshqasin drejt luginës”.

I dhanë emrin e tyre ishullit të famshëm të Caprit, por tani

Në ishull ka nga ata që besojnë se situata është përkeqësuar që nga viti 2018, kur regjisori Mario Martone solli në Capri 25 dhi të një race të ndryshme nga ajo vendase, për xhirimet e filmit të tij Capri-Revolution, ku protagoniste është një vajzë e re që ruan dhitë.

Kryetari i bashkisë së Anacaprit, një prej dy komunave të ishullit, ka deklaruar se dhitë “erdhën për xhirimet, në vitin 2018, dhe më pas u harruan në territor”.

Martone i ka hedhur poshtë akuzat, duke folur sërish për Repubblica. “Dhitë në Anacapri kanë qenë aty edhe më parë”, tha ai, “dhe nëse numri i tyre është rritur, sigurisht që nuk është faji i atyre që solli produksioni ynë”.

Luca Federico, ndihmësregjisori që punoi për filmin, shpjegoi se gjatë xhirimeve dhitë qëndronin në një rrethim dhe se, në përfundim të punës, ato u kthyen në pjesën kontinentale të Italisë.

Pikërisht bashkia e Anacaprit kishte tentuar që në vitin 2023 të frenonte shumimin e tepruar të dhive, duke urdhëruar kapjen dhe zhvendosjen e disa kafshëve larg ishullit.

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve, megjithatë, arritën ta bllokonin projektin përmes një peticioni, për të cilin mblodhën 5 mijë firma, si dhe përmes një ankimi në Gjykatën Administrative Rajonale (TAR).

Situata u tensionua ndjeshëm kur, në të njëjtën periudhë, 22 dhi u gjetën të ngordhura nën një pemë dhe u përhap frika se ato mund të ishin helmuar.

Por në fund, u zbulua se kafshët kishin ngordhur nga goditja elektrike, pasi një rrufe kishte goditur pemën nën të cilën ato ishin strehuar gjatë një stuhie.

Pas protestave të organizatave për mbrojtjen e kafshëve, administrata provoi një tjetër zgjidhje, duke urdhëruar sterilizimin e meshkujve. Por problemi mbetet ende.

Për momentin, administratat vendore nuk kanë marrë ndonjë masë të re, ndërsa disa organizata për mbrojtjen e kafshëve vazhdojnë të këmbëngulin që të vijojë sterilizimi i dhive.


Video