
Filmi i njohur shqiptar “Mimoza Llastica” do t’i nënshtrohet një procesi restaurimi, në kuadër të një nisme të re për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kinematografike shqiptare.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Eljan Tanini, i cili njoftoi se sipërmarrësja Teuta Doci do të financojë restaurimin e filmit ku ajo vetë ka qenë edhe aktore.
Sipas tij, ky është rasti i parë në kuadër të nismës “Adopto një film për restaurim”, e cila synon të angazhojë individë dhe dashamirës të kinemasë për të kontribuar në rikthimin e filmave të vjetër shqiptarë.
“Shumë i lumtur që sipërmarrësja Teuta Doci do të restaurojë filmin ‘Mimoza Llastica’, film ku ajo luan edhe vetë. Shumë shpejt do ju tregojmë fragmente nga filmi i çelur, e po ashtu do të kemi edhe premierën e filmit të restauruar”, shprehet Tanini.
Ai shton se kjo nismë u drejtohet të gjithë atyre që duan të kontribuojnë në ruajtjen e filmit shqiptar, duke theksuar se mund të përfshihen edhe projekte për filma të animuar.
“Te gjithë ata fanatikë që e duan filmin shqiptar mund të shpëtojnë nga rreziku dhe të restaurojnë duke kontribuar me një film”, thuhet më tej në njoftim.
Në përfundim, Tanini falënderoi Docin për kontributin dhe bëri të ditur se shumë shpejt pritet të mbahet edhe premiera e filmit të restauruar, duke rikthyer emocionet për publikun.