
Një raport mjekësor ka ringjallur polemika rreth gjinisë së boksieres Imane Khelif. Sportistja algjeriane fitoi medaljen e artë në boksin e femrave në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 mes akuzave se ishte mashkull që nga lindja.
Gazetari francez Djaffar Ait Aoudia thuhet se ndau raportin mjekësor të Khelif, të hartuar në qershor 2023 nga ekspertët endokrinologë Soumaya Fedala dhe Jacques Young.
Raporti pretendon se Khelif ka lindur me “testikuj” dhe një “mikro-penis”. Raporti erdhi disa muaj pasi Khelif fitoi një medalje të artë në boksin e femrave në Lojërat Olimpike të Parisit, e cila u mbajt në korrik-gusht të këtij viti.
“Facta news” kanë bërë një verifikim, duke hedhur poshtë raportin e gazetarit francez. Sipas kolegëve të medias italiane, Djaffar Ait Aoudia nuk ka eksperienca të mëparshme në gazetari dhe veç kësaj ata kanë kofirmuar se jo të gjithë gazetarët (ose gazetarët e supozuar) të përmendur në rubrikën “Opinion” punojnë për gazetën.
“Cécile Debarge konfirmoi për Facta se nuk kishte qenë kurrë pjesë e redaksisë dhe se nuk kishte bashkëpunuar kurrë me Le Correspondant”, shkruajnë kolegët e Facta.
Në artikullin e tij, Ait Aoudia shkruan se ai e mori dosjen e Imane Khelif nga spitali “Kremlin Bicètre” në Paris dhe nga spitali “Mohamed Lamine Debaghine” në Algjeri. Sipas shkrimit të publikuar prej tij, dy endokrinologët e spitaleve, Soumaya Fedala dhe Jacques kishin hartuar një raport në vitin 2023 ku thuhej se Khelif paraqiste “anomali gjenetike” që tregonin se ajo ishte mashkull.
Mirëpo, raporti i publikuar me foto prej tij është shumë i dyshimtë. Së pari, emri i Khelif nuk figuron në dokumentin e publikuar. Edhe nëse është një dosje e vërtetë mjekësore, nuk është e sigurt që i përket boksieres algjeriane. Veç kësaj, nuk duken as firmat e dy mjekëve endokrinologë të përmendur. Dokumenti është prerë pikërisht në pjesën ku duhej të ishte firma e mjekut.