
Për 5 ditë me radhë në Francë qytetarët protestojnë pas vrasjes së Nahelit, vetëm 17 vjeç, nga forcat e policisë, të martën e kaluar, sepse nuk iu bind urdhrit të tyre për të ndaluar.
Gjatë mbrëmjes së kaluar u arrestuan 486 persona, ndërsa në disa qytete pati përleshje mes policisë dhe protestuesve.
Në Marsejë u raportua për incidente në pjesë të ndryshme të qytetit. Videot tregojnë policinë duke përdorur gaz lotsjellës e zyrtarët thonë se të paktën 56 arrestime janë bërë në qytetin jugor.
Por një prani e madhe e policisë në qendër të Parisit duket se i ka penguar protestat.
Në Paris, tensione veçanërisht pati në zonën e Champs Elysees. Rreth 45,000 policë u vendosën në të gjithë vendin të shtunën.
Ministria tha se deri në orën 03:30 me orën lokale (01:30 GMT) kishte pasur 486 arrestime. Më shumë se 1,300 arrestime u bënë të premten mbrëma dhe më shumë se 900 të enjten.
Protesta duket se ka infektuar edhe Zvicrën pasi incidente janë raportuar në qendër të Lozanës.
Ministri i Brendshëm francez, Gérald Darmanin, tha: “Është një natë më e qetë falë veprimit vendimtar të policisë”. "Mosha mesatare e protestuesve është 17 vjeç," shpjegoi ministri i brendshëm Darmanin.
Ata janë nxënës të shkollave të mesme, të rinj dhe pa precedentë penalë.
Ndërsa kryeministrja Elisabeth Borne e cila ishte në Paris tha: “Kam ardhur të rikonfirmoj mbështetjen time të plotë për policinë dhe atë të qeverisë”.
Përse ka trazira në Francë?
Me 27 qershore 2023një 17-vjeçar me origjinë algjeriane dhe marokene, u qëllua nga një efektiv policie në lagjen Nanter, periferi e Parisit.
Videoja e publikuar në rrjete sociale, shkaktoi zemërim në lagjet periferike të Parisit ku racizmi është më i theksuar. Në video duken dy policë që kanë ndaluar makinën e 17-vjeçarit, Nahel,M. dhe dëgjohet një zë "do të qëlloj me plumb në kokë".
Pas të shtënës, makina ecën disa metra dhe më pas përplaset. Adoleshenti ndërroi jetë si pasojë e plagëve në gjoks. Një polic është arrestuar për vrasjen.