Trump rrit presionin ndaj NATO-s me zhvendosje trupash nga vendet “tradhtare”

10 Prill 2026, 20:30Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Trupat e Nato-s gjate nje stervitjeje

Administrata e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, po shqyrton një plan për të zhvendosur trupat amerikane më pranë Rusisë, në një lëvizje që thellon përçarjet me aleatët e NATO-s, raporton Wall Street Journal.

Sipas raportimit, plani parashikon tërheqjen e trupave nga vendet e NATO-s që konsiderohen “të pabesë” gjatë luftës me Iranin dhe zhvendosjen e tyre në shtete që mbështetën operacionet amerikane.

Megjithëse nuk bëhet fjalë për një tërheqje të plotë nga NATO (pasi kjo kërkon miratim nga Kongresi), nisma tregon për një përçarje në rritje mes Washington-it dhe aleatëve europianë.

Sipas zyrtarëve të administratës, mund të shqyrtohet edhe mbyllja e një baze ushtarake amerikane në Europë, me gjasë në Spanjë ose Gjermani.

Vendet që mund të preken

Spanjë – nuk u angazhua për shpenzime mbrojtjeje në nivelin 5% të PBB-së dhe bllokoi përdorimin e hapësirës ajrore për avionët amerikanë gjatë operacionit kundër Iranit

Gjermani – zyrtarë të lartë kritikuan luftën, pavarësisht rolit të rëndësishëm në operacionet në Lindjen e Mesme

Itali – bllokoi përkohësisht përdorimin e një baze ajrore në Siçili

Francë – lejoi përdorimin e një baze vetëm me kushte të caktuara

Vendet që mund të përfitojnë

Sipas raportimit, përfitues potencialë janë:

Poloni

Rumani

Lituani

Greqi

Këto vende kanë ndër nivelet më të larta të shpenzimeve për mbrojtje dhe kanë mbështetur iniciativat ndërkombëtare, përfshirë patrullimin në Ngushticën e Hormuzit. Rumania, konkretisht, lejoi shpejt përdorimin e bazave ajrore nga forcat amerikane.

Zhvendosja e trupave më afër kufirit rus pritet të rrisë tensionet me Rusinë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se është “zhgënjyese” që NATO nuk mbështeti Shtetet e Bashkuara gjatë javëve të fundit, pavarësisht rolit financiar të SHBA-ve në mbrojtjen e aleancës.

Vetë Trump ka shprehur zhgënjim të thellë ndaj aleancës, duke e quajtur mungesën e mbështetjes një njollë që “nuk do të zhduket kurrë”.

Presidenti amerikan ka kritikuar vazhdimisht NATO-n, duke e quajtur një “tigër prej letre” dhe duke akuzuar partnerët për mungesë guximi. Ai ka paralajmëruar se po shqyrton seriozisht mundësinë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga aleanca.

Në përgjigje, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka kërkuar Trump-it të jetë më i përmbajtur në deklarata, duke theksuar se retorika e tillë vë në dyshim angazhimin e SHBA-ve ndaj NATO-s.


Video