Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë përmes një komunikatë për mediat, ka njoftuar se i është pezulluar licenca televizionit “Klan Kosova”.
Sipas ministrisë, shkak për marrjen e këtij vendimi kanë qenë dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
"Sipas të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë." thuhet në njoftim.
Një ditë më parë u publikuan dokumentet në media ku rezultonte se pronësia e televizionit "Klan Kosova" fillon nga një shtetas shqiptar kur është hapur në vitin 2008, blihet nga një shtetas i Kosovës në vitin 2013, pastaj i njëjti pronësinë e kalon në kompaninë e tij të hapur në Maqedoni ku është i regjistruar si shtetas i Serbisë, pastaj shitet në vitin 2015 në parajsat fiskale në British Virgjin Island dhe përfundon përsëri në Maqedoninë Veriore në vitin 2021, ku edhe pronari aktual e ka të regjistruar në pronësi të kompanisë së tij të hapur me pasaportë serbe me adresë “Djakovica, Serbia” (srb. Gjakovë, “Serbi” sic.) dhe ku sipas dokumenteve figuron se kjo kompani e inkorporuar në Maqedoninë e Veriut si shpk një-anëtarëshe (DOOeL) është një shtetas i huaj dhe atë nga Serbia.
Më poshtë komunikata e plotëe ministrisë:
Komunikatë për media
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër. Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.
Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes. Sipas të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.
Andaj, për të adresuar mirëfilli përgjegjësitë, MINT ka dorëzuar në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës kallëzim penal në mënyrë që e vërteta rreth kësaj çështjeje të vërtetohet në proces gjyqësor dhe keqpërdoruesit potencial të përgjigjen para organeve të drejtësisë sipas normativave ligjore në fuqi.
MINT shpreh besimin e plotë se Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, do të veproj në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim dhe pret me vëmendje maksimale dhënien dhe marrjen e veprimeve të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse.
Çdo veprim i Departamentit të Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë në respekt të ligjit, është përgjigje ndaj abuzuesve dhe personave përgjegjës për ndërmarrjen e veprimet në kundërshtim me dispozitat ligjore.
MINT shpreh gatishmërinë e plotë, për të mbështetur gjithë veprimtarinë e Departamentit të Krimeve të Rënda gjatë këtij hetimi dhe për të dhënë çdo shpjegim që do të vlerësohet i nevojshëm për të zbardhur të vërtetën e plotë rreth kësaj çështjeje.
