Para se të vdiste bëri 75 postime në rrjetet sociale, zbulohen mesazhet e fundit të ish-partneres së McGonigal!

1 Shtator 2026, 12:16Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Charles McGonigal/ Allison Guerriero

Ish-partnerja e Charles McGonigal, Allison Guerriero, është gjetur e vdekur në banesën e saj në South Florida, ndërsa rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta.

Vdekja e saj ka tërhequr vëmendje të veçantë për shkak se vetëm disa orë më parë ajo kishte qenë aktive në rrjetet sociale, ku kishte publikuar dhjetëra postime lidhur me FBI-në dhe çështjen e ish-zyrtarit amerikan.

Sipas mediave amerikane, Guerriero kishte bërë rreth 75 postime, në disa prej të cilave ngrinte pretendime për zyrtarë federalë. Në një prej tyre ajo shkruante: “FBI-ja është e keqe.”

Ajo kishte folur edhe më herët për Charles McGonigal, ish-drejtorin e kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në Nju Jork, i cili u dënua në SHBA për vepra penale që lidhen me marrëdhëniet e tij financiare me oligarkun rus Oleg Deripaska, si dhe për fshehjen e pagesave të marra nga një ish-zyrtar shqiptar i inteligjencës.

Guerriero ishte marrë në pyetje nga FBI-ja në vitin 2019 në lidhje me McGonigalin dhe kishte dhënë informacione për aktivitetet e tij. Ajo kishte folur publikisht edhe për kontaktet e ish-partnerit të saj me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Sipas deklarimeve të saj të mëparshme, McGonigal i kishte treguar se do të udhëtonte drejt Shqipërisë për t'u takuar me Ramën.

Kryeministri shqiptar ka mohuar çdo shkelje apo përfshirje në veprimtari të paligjshme lidhur me marrëdhënien me ish-zyrtarin e FBI-së.

Në postimet e fundit, Guerriero kishte vazhduar të ngrinte akuza dhe të kërkonte hetime ndaj personave të tjerë që, sipas saj, kishin lidhje me autoritetet federale amerikane.

Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë të dhënë publike që e lidh vdekjen e saj me çështjen McGonigal apo me Shqipërinë.

Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun zyrtar të vdekjes dhe rrethanat në të cilat ajo humbi jetën.


Video