Rreth 1.8 milionë myslimanë nga e gjithë bota arritën në malin Arafat në Arabinë Saudite të martën për të shënuar ditën më të rëndësishme të Haxhit. Por për shkak të rritjes së çmimeve globale, pelegrinazhi po bëhet gjithnjë e më i papërballueshëm financiarisht për besimtarët.
Çmimet variojnë nga 3 mijë deri në 6 mijë dollarë për çdo pelegrin, që do të thotë se Arabia Saudite ka arkëtuar 4 deri në 6 miliardë dollarë nga besimtarët brenda pak ditëve. Në Egjipt, vendi më i populluar arab, pelegrinazhi më i lirë i sponsorizuar nga qeveria kushton aktualisht rreth 6,000 dollarë, dyfishi i vlerës së vitit të kaluar.
Rritja e çmimeve është nxitur nga zhvlerësimi i fortë i paundit egjiptian, i cili ka humbur më shumë se 50 për qind të vlerës së tij kundrejt dollarit amerikan që nga marsi i vitit 2022. Si rezultat, kostoja e jetesës është rritur gjithashtu, me inflacionin bazë vjetor deri në 40 për qind në maj.
Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit. Myslimanëve u kërkohet të bëjnë udhëtimin për në Mekë të paktën një herë në jetën e tyre, nëse janë të aftë fizikisht dhe financiarisht për ta bërë këtë.
Haxhi fillon në ditën e tetë të muajit hënor islam, i cili këtë vit korrespondonte me 26 qershorin sipas kalendarit gregorian dhe zgjat pesë deri në gjashtë ditë. Haxhi zakonisht tërheq nga 1.5 milionë deri në 2 milionë pelegrinë, por kjo është hera e parë që nga pandemia që autoritetet saudite e kanë lejuar atë në kapacitet të plotë.
Arabia Saudite i cakton çdo vendi një kuotë vjetore vizitorësh bazuar në numrin e muslimanëve që jetojnë atje.
Rezervimet më të mëdha shkojnë për Indonezinë, vendi më i madh në botë me shumicë myslimane, me një popullsi prej 270 milionë banorësh. Këtë vit Indonezi kishte të rezervuara 221 mijë pelegrinë.
Autoritetet indoneziane vendosën këtë vit të ulin subvencionin për pelegrinazhin në 50 për qind nga 60 për qind, që do të thotë se çdo pelegrin indonezian duhej të paguante 3,320 dollarë. Në vitin 2022, paketa kushtonte 2660 dollarë.
Ndërsa kostoja financiare mund të jetë një pengesë për shumë myslimanë në mbarë botën, për ata në Jemen, fqinji jugor i Arabisë Saudite i shkatërruar nga lufta civile 8 vjeçare, situata është shumë më e ndërlikuar.
Këtë muaj, pelegrinët jemenas fluturuan drejtpërdrejt nga kryeqyteti i kontrolluar nga rebelët, Sanaa, në Arabinë Saudite për Haxhin. Këto ishin fluturimet e para të tilla komerciale në rreth shtatë vjet.
Ata që udhëtonin duhej të paguanin rreth 3,000 dollarë - një shumë e konsiderueshme në një vend ku më shumë se 21 milion nga një popullsi prej 30 milion njerëz kanë nevojë për një lloj ndihme humanitare dhe 17 milion janë në krizë urie.