Masakra në SHBA tremb Kanadanë, synon të ndalojë plotësisht shit-blerjen e armëve

31 May 2022, 18:20Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Masakra në SHBA tremb Kanadanë, synon të ndalojë
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau

Kanadaja duhet të vendosë një ndalim total të shit-blerjes së të gjitha armëve, ka thënë kryeministri Justin Trudeau. Qeveria e tij propozon një ligj të ri që do të ngrijë pronësinë private të të gjitha armëve të zjarrit me tytë të shkurtër.

Legjislacioni i ri nuk ndalon plotësisht pronësinë e armëve, por do ta bënte të paligjshme blerjen e tyre.

Propozimi i Trudeau vjen disa ditë pas një të shtëna vdekjeprurëse në një shkollë fillore në Teksas, në Shtetet e Bashkuara, ku u vranë 21 persona, 19 prej të cilëve fëmijë.

Projektligji, i cili u paraqit në parlamentin e Kanadasë të hënën, e bën të pamundur blerjen, shitjen, transferimin ose importin e armëve në të gjithë vendin.

"Përveç përdorimit të armëve të zjarrit për qëllime sportive dhe gjueti, nuk ka asnjë arsye që dikush në Kanada të ketë nevojë për armë në jetën e tij të përditshme," u tha Trudeau gazetarëve.

"Ndërsa shohim se dhuna me armë vazhdon të rritet, është detyra jonë që të ndërmarrim veprime," tha ai.

Kjo shënon përpjekjen më ambicioze të qeverisë së tij për të kufizuar aksesin në armë zjarri.

Projektligji do të kërkonte gjithashtu që karikatorët e pushkëve të rikonfiguroheshin në mënyrë që të mund të mbajnë jo më shumë se pesë fishekë në të njëjtën kohë dhe do t'u hiqte licencat e armëve të zjarrit pronarëve të armëve të përfshirë në dhunë në familje, ose vepra të tjera kriminale.

Ndryshe nga SHBA, zotërimi i armëve nuk është i sanksionuar në Kushtetutën e Kanadasë, por armët e zjarrit janë ende të përhapura, veçanërisht në pjesët rurale të vendit.

Kanadaja ka rregulla më të rrepta për zotërimin e armëve sesa fqinji i saj jugor dhe regjistron më pak incidente me armë zjarri çdo vit. Si shembull, të gjitha armët duhet të mbahen të kyçura dhe të shkarkuara dhe kushdo që dëshiron të blejë një armë zjarri duhet t'i nënshtrohet kontrolleve të imtësishme.

Por ka pasur thirrje në vitet e fundit për të forcuar legjislacionin për armët atje edhe më tej, veçanërisht pas një numri të shtënash vdekjeprurëse.

Në prill të vitit 2020, një person i armatosur i paraqitur si oficer policie vrau 22 persona gjatë të shtënave në Nova Scotia - më vdekjeprurësi në historinë e Kanadasë.

Brenda disa ditësh, Trudeau njoftoi një ndalim të menjëhershëm të 1500 llojeve të ndryshme të armëve të tipit ushtarak dhe të stilit sulmues. Projektligji i ri do të kufizonte efektivisht numrin e pistoletave në pronësi të ligjshme në Kanada në nivelet aktuale.


Video