Kosova sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme? Abdixhiku: 6 deputetë të LDK-së nuk e votojnë Bekim Sejdiun për president

1 Shtator 2026, 18:48Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lumir Abdixhiku

Marrëveshja mes LDK-së dhe LVV-së për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president ka hasur në një pengesë brenda vetë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se gjashtë deputetë të partisë së tij kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun, duke thënë se pas këtij zhvillimi vendi po shkon “pashmangshëm” drejt zgjedhjeve.

Kundër kandidaturës janë deklaruar Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri.

Abdixhiku i bëri publike qëndrimet e tyre pas mbledhjeve të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të LDK-së, të mbajtura gjatë së martës.

Sipas tij, situata brenda Grupit Parlamentar është në kontrast me qëndrimin e Kryesisë së partisë, e cila më herët kishte mbështetur unanimisht kandidaturën e Sejdiut.

“Gjashtë deputetë kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Konkretisht: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidaturën e propozuar”, tha Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se pas mbledhjes së Kryesisë ishte kërkuar nga secili deputet që ta mbështeste kandidaturën e dakorduar me LVV-në. Kundërshtimi i gjashtë prej tyre, sipas Abdixhikut, i ka dhënë fund përpjekjes së tij për ta përmbyllur procesin e zgjedhjes së presidentit përmes marrëveshjes politike.

“Kaq munda, nuk munda më tepër. Jo me këtë grup parlamentar, jo me këtë përçarje, jo me këtë ndarje, nuk munda më tepër”, deklaroi ai.

Abdixhiku tha se kishte tentuar të gjente një zgjidhje që, sipas tij, do ta shmangte përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme dhe do ta nxirrte çështjen e presidentit nga logjika e interesave partiake.

“Jam përpjekur të jap një mendim të pjekur, fokusin e Republikës, me shumë pak gjasa, të një partie që ka pasur kërkesa absolute për president të vetin. Fatkeqësisht po humbim një mundësi të tillë për të ikur prej këtij politizimi individual”, tha ai.

Marrëveshja për Sejdiun ishte arritur një ditë më parë mes Abdixhikut dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti. Por kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së e vë në pikëpyetje sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e tij dhe, sipas Abdixhikut, e rikthen në skenë mundësinë e zgjedhjeve të reja.


Video