Donald Trump ka lënë udhëzime të qarta për të bombarduar Iranin si asnjëherë më parë, nëse Republika Islamike vret ose tenton të ekzekutojë presidentin amerikan.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump ka thënë se urdhrat janë dhënë tashmë.
“1000 raketa janë gati, të ngarkuara dhe të drejtuara drejt Republikës Islamike të Iranit, dhe mijëra të tjera do të pasojnë menjëherë, nëse Qeveria iraniane vepron sipas kërcënimit të saj për të vrarë ose për të tentuar të vrasë Presidentin në detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë rast, mua!”
Deklarata e Trump vjen ndërsa mediat kanë raportuar se SHBA-të kanë marrë një mori informacionesh të vazhdueshme gjatë javëve të fundit rreth planeve për të vrarë Trumpin.
Një paralajmërim i bërë nga Izraeli se Irani kishte bërë një komplot të ri për të eliminuar presidentin amerikan ishte më specifik, megjithëse detajet e tij nuk janë bërë publike.
Informacioni i shërbimeve sekrete izraelite shihet edhe si përpjekje për të ndikuar vendimin e presidentit amerikan gjatë negociatave për paqe me Teheranin.
Gjatë javës së fundit, teksa mbahej ceremonia mortore e Khameneit, turma të mëdha iranianësh janë dëgjuar të bëjnë thirrje që kërkojnë vdekjen e Trump.
Lideri suprem Mojtaba Khamenei gjithashtu reagoi këtë të shtunë, duke premtuar hakmarrje për vrasjen e babait të tij.