Gjermania akuzon Rusinë për sulmin me dron në aeroportin e Leipzigut. Urdhërohet mbyllja e konsullatës ruse në Bon

1 Shtator 2026, 19:12Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sulmi me dron në aeroportin Leipzig/Halle më 4 gusht

Qeveria gjermane deklaroi të martën se Rusia ishte "përgjegjëse” për një tentativë sulmi me dron në aeroportin Leipzig/Halle më 4 gusht.

"Qeveria federale arrin në përfundimin se Rusia është përgjegjëse për sulmin hibrid në Leipzig,” tha ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt gjatë një konference për shtyp në Berlin të martën pasdite. Ai shtoi se sulmi përputhet me modelin e një "serie të gjatë operacionesh destabilizuese” kundër Europës.

Më 4 gusht, në aeroport u gjet një dron që transportonte një pajisje shpërthyese, pranë avionëve ukrainas të ngarkesave. Pajisja nuk shpërtheu, pasi detonatori dyshohet se kishte defekt.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu se një dron i dytë mund të jetë përplasur me një avion transporti që ndodhej në zonën përreth.

Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt tha se sulmi i 4 gushtit përputhet me atë që ai e cilësoi si “modelin e konsoliduar të operacioneve hibride ruse në Evropë”. Sipas tij, ekziston edhe mundësia që Gjermania të bëhet sërish objektiv i veprimeve të ngjashme.

Përgjegjësia e Rusisë ishte diskutuar prej kohësh nga ekspertët e sigurisë, por Moska deri tani ka mohuar çdo përfshirje në incident. Deklarata e autoriteteve gjermane shënon një përshkallëzim të rëndësishëm të akuzave ndaj Rusisë në lidhje me aktivitetet e dyshuara të sabotimit dhe operacionet hibride në territorin evropian.

Aeroporti Leipzig/Halle ka rëndësi të veçantë strategjike. Ai përdoret nga ushtria gjermane dhe aleatët e NATO-s për transportin e mallrave ushtarake, ndërsa shërben gjithashtu si bazë për kompaninë ukrainase Antonov Airlines, e cila transporton një pjesë të madhe të ngarkesave ajrore të Ukrainës.

Në të njëjtën konferencë për shtyp në Berlin, ministri i Jashtëm gjerman Johann Uadephul njoftoi masa të reja ndaj pranisë ruse në Gjermani. Ai tha se do të urdhërojë mbylljen e konsullatës ruse në Bon.

Gjermania do të ndërpresë gjithashtu kontratën për “Russian House” në Berlin, një institucion që prej kohësh është kritikuar nga disa vëzhgues, të cilët e kanë akuzuar për përdorim në aktivitete të spiunazhit dhe përhapje të propagandës ruse.

Incidenti në Leipzig/Halle pritet të shtojë tensionet mes Berlinit dhe Moskës, në një kohë kur Gjermania po forcon masat e sigurisë ndaj kërcënimeve të dyshuara hibride dhe po rrit mbështetjen e saj për Ukrainën.


Video