Autoritetet në Minsk kanë shitur një banesë dy dhomëshe, e cila i takonte lideres së opozitës Svyatlana Tsikhanouskaya dhe bashkëshortit të saj, blogerit të burgosur dhe ish-kandidatit për president, Syarhey Tsikhanouski.
Banesa 66 metra katror në kryeqytetin e Bjellorusisë iu shit për 80.740 dollarë një fituesi të paspecifikuar në një ankand më 26 korrik. Banesa, e cila ishte konfiskuar zyrtarisht nga shteti në shtator, u shit pasi dy ankandet e kaluara ishin anuluar.
Tsikhanouski u dënua me 18 vjet burgim në vitin 2021. Akuzat kundër tij përfshinin shkaktimin e trazirave masive, nxitjen e urrejtjes, pengimin e aktiviteteve të Komisionit Qendror Zgjedhor, dhe organizimin e aktiviteteve që prishin rendin shoqëror.
Të pandehurit dhe përkrahësit e tyre i mohuan këto akuza, duke i cilësuar si me motive politike.
Blogeri i njohur, Tsikhanouski e shpalli kandidaturën për president në vitin 2020, duke e sfiduar politikanin e fuqishëm bjellorus Alyaksandr Lukashenka, i cili po garonte për t’u rizgjedhur.
Tsikhanouski ishte diskualifikuar dhe arrestuar para votimit.
Pas arrestimit të Tsikhanouskit, bashkëshortja e tij shpalli kandidaturën e saj për zgjedhjet presidenciale, duke e mobilizuar opozitën. Fitorja e thellë e Lukashenkas nuk është njohur nga opozita dhe vendet perëndimore, të cilat thonë se ai e kishte montuar rezultatin në favor të vetin.