Paralajmërimi i Vox News - Firma “Fusha” shpallet fituese e tenderit të pastrimit të zonave bregdetare pas “tërheqjes” së “Pastrime Silvio”!

21 Gusht 2026, 22:11Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto montazh - Vox News

Vox News paralajmëroi disa muaj më parë se tenderi i pastrimit të zonave bregdetare do t’i jepej i paracaktuar firmës “Fusha”, e cila ka fituar edhe në të kaluarën procedurat e njëjta. Pas një kalvari që zgjati disa muaj dhe kur jemi në javët e fundit të sezonit turistik, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, ka shpallur fituesin e tenderit që rezultoi pikërisht firma “Fusha”.

Redaksia jonë ka analizuar dokumentet e tenderit ku rezulton se, janë bërë të gjitha përpjekjet si nga autoriteti kontraktor ashtu edhe nga firmat pjesëmarrëse që procedurën ta fitonte kompania “Fusha”. I dyshimtë është fakti se procedura u zvarrit për muaj me radhë, ku çështja shkoi edhe në Komisionin e Prokurimit Publik, por kur pritet që ankesa të shqyrtohej, ankuesi u tërhoq çuditërisht, megjithëse ishte firma që kishte ofruar më pak.

Duket se, të gjitha dokumentet janë “qepur” për firmën fituese, pasi nga 4 firma në garë 3 janë skualifikuar, çka do të thotë se paralajmërimi i Vox News ka qenë real, një dosje e denjë edhe për Prokurorinë e Posaçme. Çështja ka shumë pikëpyetje që meritojnë një verifikim apo hetim të thellë; si i ka fituar të gjitha tenderat e pastrimit të zonave bregdetare, resortet e oligarkëve firma ‘Fusha’, kush e favorizon, përse u skualifikuan të tjerat dhe përse u tërhoq nga ankimi kompania “Pastrime Silvio”?

Paralajmërimi i Vox News - Firma “Fusha” shpallet fituese e

Paralajmërimi i Vox News - Firma “Fusha” shpallet fituese e
Faksimile: Shpallja e fituesit të tenderit të pastrimit të zonave bregdetare nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara

Ditët e fundit, megjithëse jemi në javët e fundit të sezonit veror, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur fituesin e procedurës të pastrimit të zonave bregdetare. Objekti i procedurës ishte “shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për Bashkitë Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë dhe Sarandë”, me fond limit 99.3 milionë lekë, ose mbi 1 milionë euro, një tender që duhet të zbatohej për vetëm 93 ditë!

Duke u shpallur në mes të muajit gusht, a do të vazhdojë për 93 ditë me radhë? Pastrimi duhej të ishte bërë në mes të muajit qershor dhe të përfundonte në mes të muajit shtator, por që me këto ritme, nuk dihet se si do të zbatohet kontrata. Në procedurë mori pjesë “Pastrime Silvio” & “RADA OIL INDUSTRY” me vlerë 77 milionë lekë, “Fusha” me vlerë 97.9 milionë lekë, “REJ”me vlerë 98.5 milionë dhe “ALKO IMPEX” me 99.3 milionë. Më pas ka filluar operacioni “gërshëra”, duke skualifikuar 3 nga 4 firmat, duke kualifikuar vetëm ofertën e firmës “Fusha” që edhe u shpall fituese.

Paralajmërimi i Vox News - Firma “Fusha” shpallet fituese e

Paralajmërimi i Vox News - Firma “Fusha” shpallet fituese e
Faksimile: Vendimi i KPP-së për tenderin e pastrimit të zonave bregdetare me vlerë rreth 1 milionë euro 

Vox News ka mësuar se një nga firmat që u skualifikua, pikërisht BOE “Pastrime Silvio” & “RADA OIL INDUSTRY”, e ankimoi vendimin e OBP-së në Komisionin e Prokurimit Publik. Dhe këtu fillon kalvari tepër i dyshimtë, duke e zvarritur dhënien e vendimit dhe në fund, firma që u ankua, u tërhoq.

Vendimi përfundimtar është dhënë në datën 3 gusht 2026 nga KPP-ja, ndërkohë që ankesa ishte bërë që në muajin qershor. Firmat që u tërhoqën i dërguan KPP-së shkresë që në datën 3 korrik, ndërkohë që KPP-ja për t’u bindur i rikërkoi një shkresë. Firma “Pastrime Silvio” dërgoi në datë 28 korrik një shkresë KPP-së ku kërkon të heqë dorë nga ankesa.

Paralajmërimi i Vox News - Firma “Fusha” shpallet fituese e
Në foto: Denoncimi i Vox News për tenderin e paracaktuar që do t’i jepej firmës “Fusha”

Në muajin prill të këtij viti, Vox News publikoi një investigim me titull “Hapet tenderi i paracaktuar 2.1 mln euro - A do vazhdojë kompania ‘Fusha’ të pastrojë resortet e oligarkëve me paratë e shqiptarëve?”. Në atë kohë, redaksia jonë analizoi dokumente të shumta, ku rezulton se prej katër vitesh, shqiptarët e varfër paguajnë dy herë për të pastruar resortet e oligarkëve, apo vilat ku jetojnë biznesmenët apo politikanët, në zonat bregdetare, duke filluar nga Velipoja për të përfunduar në Ksamil.

“Me justifikimin se po heqin plehrat nga plazhet, apo për një territor të pastër në sezonin veror, qeveria akordon miliona euro dhe ka përcaktuar edhe zonat që do të pastrojë. Kësaj herë, tenderi ka një vlerë rreth 2.1 milionë euro, ndërkohë që në të kaluarën procedura ka qenë më me pak para’, por gjithmonë fituesi ka dalë i njëjti, kompania ‘Fusha’. Duket se, ‘punët e ngjashme’ apo kriteret e tjera që janë vendosur, e kanë nxjerrë fituese kompaninë me pronar Shkëlqim Fushën”, ishte paralajmërimi i redaksisë sonë.

Më tej vazhdonte se, “të dhënat që ka hulumtuar Vox News flasin se, edhe këtë vit, të paktën 1 nga 2 lotet, dhe kryesisht lotin që parashikon pastrimin e zonës jugore, pritet ta fitojë e njëjta kompani, pra ‘Fusha’”. Duke qenë një treg i mbyllur dhe me influenca tepër të mëdha nga ata që kanë ndërtuar resortet, nuk parashikohen surpriza edhe gjatë këtij viti. Por nëse fituesi dihet, përse hapen tendera dhe bëhen letra pafund, me kritere apo edhe me të dhëna të tjera?

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Video