Pse po vonon ligjërimi i basteve? Lobimet dhe prapaskenat për licencën shkaktojnë ‘tension’ te Financat

23 Mars 2023, 11:45Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Delina Ibrahimaj

Sipas një deklarate të bërë nga ministrja e Financave në fund të muajit janar, brenda këtij muaji Kuvendi duhet të miratojë ligjin për rihapjen e basteve sportive.

Ministria nuk ka shpërndarë asnjë detaj nga ndërhyrjet që do të bëhen në ligjin për lojërat e fatit, por pak detaje se si mund të jenë këto ndërhyrje janë shpjeguar nga Kryeministri Edi Rama që në vjeshtë të vitit të kaluar.

Rama deklaronte në atë kohë se bastet sportive do të riktheheshin nga 1 janari 2023 vetëm online dhe jo me salla fizike të tyre. Po ashtu, licenca do të ishte monopol, që do të thotë se do t’i jepej vetëm një kompanie, që do ta ushtronte këtë aktivitet në të gjithë vendin.

Në fillim të dhjetorit 2022, ministrja Delina Ibrahimaj deklaronte se projektligji do të dorëzohej në Kuvend brenda vitit 2022. Kjo nuk ndodhi. Afati u shty për më 31 mars. Por, edhe ky afat i ri po shkon drejt shkeljes.

Ministria e Financave nuk jep asnjë detaj se ku ka ngecur procesi, por burime të Voxnews.al pohojnë se kushti i deklaruar nga Rama për të dhënë një licencë të vetme është problemi. Burimet thonë se ka përplasje të mëdha lobimesh nëpër ministri dhe Qeveri.

Biznese, politikanë e të afërm të tyre po lobojnë që sigurojnë këtë licencë, duke mbajtur peng dorëzimin e projektligjit në Kuvend. Burimet thonë se me propozimin për një licencë të vetme, kuadri ligjor përcakton se duhet të hapet një garë ndërkombëtare, tip ankandi ku ofertuesi me vlerën më të lartë fiton garën.

Hapja e garës ndërkombëtare ‘tremb’ sipërmarrësit shqiptarë të interesuar për këtë licencë, por edhe politikanët e lidhur me ta, që i druhen pjesëmarrjes në ankand të kompanive të fuqishme ndërkombëtare të basteve që mund të ofrojnë shumë herë më shumë se ta.

Për këtë arsye, nëpër korridoret e ministrive po shqyrtohet varianti për të dhënë tri licenca për bastet online. Ky variant është duke u shqyrtuar nga ministritë përkatëse, që nga Financa, te ajo e Drejtësisë.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video