Entela Resuli
Stina e verës është periudha më argëtuese për fëmijët. Shkolla ka përfunduar dhe pjesa më e madhe e tyre presin që të kalojnë disa ditë pushimesh në det me familjen (për ata që kanë mundësi).
Nga ana tjetër, po jetojmë në një kohë kur lojërat, argëtimet, veshjet janë të shumta për fëmijët, krahasuar me kohën kur prindërit e tyre kanë qenë në të njëjtën moshë ndërsa kënaqësia që reflektojnë është e paktë.
Prindërit gjithmonë e më tepër ankohen se pavarësisht sakrificave të tyre për t'u plotësuar çdo tekë, ata kanë gjithmonë diçka për të kërkuar më pas... dhe kështu pretendimet vazhdojnë.
Për këtë marrëdhënie prind-fëmijë dhe çfarë ndikon në pakënaqësinë e tyre, keni thirrur sot psikologen klinike, Lediona Braho.
Më poshtë një bisedë me të në VoxNews.
- Lediona, në ditët e sotme, ku argëtimet janë të shumta, po ashtu edhe ushqimet, fëmijët e kanë të vështirë të kënaqen, pse?
Në përgjithësi është në natyrën njerëzore “të mos kënaqet asnjëherë” dhe “të kërkojë shumë e më shumë”. Fëmijët janë qenie njerëzore me emocione, mërzi e gëzime, si të rriturit. Këta të fundit mund të bëjnë shumë, madje “gjithçka” siç po thoni ju, për fëmijët e tyre, por ne duhet të shohim çfarë ka përtej kësaj dhe të ngremë disa pyetje: Si është marrëdhënia mes tyre? A ndihet fëmija i lidhur emocionalisht me prindërit e vet? A ka një lidhje të fortë dhe të shëndetshme mes fëmijës dhe gjithë anëtarëve të familjes? A ka konflikte në shtëpi? Pyetjet mund të shtrihen edhe më tej në zonën e shkollës dhe komunitetit: A ndihet i lidhur fëmija me moshatarët e vet? Po me mësuesit? A ka shokë e shoqe? A e ngacmojnë/ bullizojnë në shkollë? Me këto pyetje dua t’i përgjigjen pyetjes suaj: pra, dua të them se edhe nëse duket sikur fëmija “i ka të gjitha, por ndihet i palumtur”, patjetër ka tregues të tjerë që duhen parë më thellë, si në familje, në shkollë apo në shoqëri.
-Ku po gabojnë prindërit?
Prindërit janë njerëzit më të rëndësishëm në jetën e një fëmije. Absolutisht! Përveç lidhjes biologjike dhe ligjore, ata janë personat përgjegjës për mënyrën sesi fëmija do të rritet dhe zhvillohet (sigurisht, nëse fëmija nuk pengohet nga ndonjë sindrome gjenetike që mund ta pengojë zhvillimin). Mënyra sesi shumë prindër prindërojnë sot është e ndryshme nga mënyra sesi prindërit e tyre kanë prindëruar. Sepse sistemi dhe vlerat e shoqërisë kanë ndryshuar.
Edukimi i prindërve për mirërritjen atë emocionale të fëmijëve dhe puna e tyre me veten janë faktorë të rëndësishëm që e përmirësojnë qasjen e tyre në prindërim. E kundërta ndodh nëse prindërit janë të ngarkuar shumicën e kohës, tepër të stresuar, jashtë shtëpisë, apo në konflikt me njeri-tjetrin… këto situata janë stresore të vazhdueshëm që shformojnë ose pengojnë formimin e një lidhjeje natyrore të fortë dhe të shëndetshme mes prindërve dhe fëmijëve.
Në skajin tjetër gjenden prindërit që ua realizojnë fëmijëve gjithçka pa i lenë të përpiqen vetë, të gabojnë dhe të mësojnë nga gabimet e tyre. Këta quhen “prindër helikopterë” dhe arsyeja pse fëmijët e tyre mund të jenë të palumtur ose të pazotë është prej faktit se ata nuk i kanë lejuar të jetojnë në mënyrë natyrale por kane ngritur mure mbrojtës artificialë rreth fëmijëve të cilët po, i kanë mbrojtur, por më së shumti, nuk i kanë lënë të rriten.
-Sa kanë ndikuar rrjetet sociale në mospërmbushjen e kënaqësisë?
Përdorimi gjithnjë në rritje dhe nga fëmijë gjithnjë e më të vegjël në shumicën e vendeve të botës, sidomos në Perëndim, është alarmant dhe ngre shqetësime mbi mirëqenien dhe shëndetin mendor të fëmijëve. Ka studime që thonë se ekranet po përdoren edhe nga foshnjat si “lodër”, “mjet argëtimi” apo “babysitter”. Pra me pak fjalë, jetojmë në një epokë ku rolet që tradicionalisht i kryenin njerëzit tashmë po i kryejnë pajisjet elektronike. Dhe nëse diçka artificiale përpiqet të zhvendosë njerëzoren, kjo del kundër natyrës sonë bazë. Truri ynë ka evoluar për të mësuar gjuhën nga e folura me njerëz dhe jo nga karakteret e një filmi vizatimor në një gjuhë të huaj (apo edhe amtare); në të dyja rastet gjuha do të mësohet mekanikisht. Rrjetet sociale për më tej, i ekspozojnë fëmijët (por sidomos prindërit e tyre, si fillim) ndaj një game të pamatë informacioni dhe risqesh për shëndetin mendor, për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm çdo dite dhe disa herë në ditë ndaj jetës së të tjerëve. Krahasimi me njerëzit që shfaqin në rrjete sociale më të mirën e tyre bën që ata të cilët kanë pakënaqësi me veten apo probleme të një lloji apo një tjetër, të ndihen edhe më të pakënaqur dhe të vuajnë edhe më shumë. Kur ky bum informacioni (imazhesh e videosh) ndikon të rriturit, mendoni çfarë u bën fëmijëve, të cilët ende nuk kanë ndërtuar mekanizma të brendshëm për të filtruar shumë informacione që vijnë nga jashtë dhe për t’i analizuar ato në mënyrë kritike.
-Sa e rëndësishme është fëmijëria për atë çka fëmija bëhet kur të rritet?
Modelet dhe mësimet që instalohen në fëmijëri mbeten relativisht të qëndrueshme gjatë jetës në adoleshencë dhe moshën e rritur. Marrëdhëniet me prindërit, motrat dhe vëllezërit dhe njerëzit e rëndësishëm të familjes dhe komunitetit bëhen parashikues dhe bashkë-ndërtues të: kush dhe si do jetë fëmija, si në aspektin intelektual, por sidomos në atë psikologjik.
Në rastin më të mirë, një fëmijë i rritur me prindër të pranishëm në familje, që kanë dashur dhe pranuar njëri-tjetrin, si dhe i kanë dhënë fëmijës dashuri pa kushte, e kanë lejuar të luajë dhe të provojë, duke e mbështetur dhe pa e ndëshkuar, por duke i folur dhe dhënë shembuj për sjelljet e gabuara, me kufizimet dhe rregullat e nevojshme sipas moshës, ka gjasa që të rritet për t’u bërë një i rritur i shëndetshëm. Në anën tjetër, janë të gjithë ato familje në të cilat nuk ka pasur dashuri, por ftohtësi, neglizhim apo dhunë, ku prindërit nuk kanë qenë të pranishëm ose edhe kanë qenë mbytës, ku ka pasur varfëri të madhe apo një gjendje shumë të mirë ekonomike por pa shkëmbime dhe vlera njerëzore, me rregulla strikte apo pa rregulla fare… Fëmijët e rritur në këto familje janë më të riskuar për të pasur probleme më vonë në jetë.
-Një tjetër problematik është shfaqja e luksit nga njëra anë... Ndërkohë pjesa tjetër që nuk i plotëson zhgënjehen. Çfarë duhet të bëjnë prindërit për të mbrojtur veten dhe fëmijët?
Në përgjithësi, prindërit duhet të kuptojnë se gjithçka që shfaqet në median sociale nuk reflekton realitetin e brendshëm të individëve apo familjeve në dukje “në luks” apo “shumë të lumtura”. Njerëzit postojnë momentet e tyre më të bukura dhe kanë gjithnjë një prirje për ta shfaqur veten më mirë seç jemi në të vërtetë - vetja jone sociale, “maska” shoqërore që furnizohet zakonisht nga nevoja jonë për t’u ndjerë më mirë me veten, sidomos kur na aprovojnë ose pëlqejnë të tjerët.
Gjithashtu, prindërit duhet t’i kushtojnë rëndësi ushqyerjes së marrëdhënies me fëmijët sepse vetëm ky faktor është parashikues i fortë i shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve dhe jo faktorët materiale.
Sigurisht një bazë e nevojshme për të jetuar është e synuar dhe e mirë për të gjithë, por nëse ecet në drejtim te luksit “siç e bëjnë tëtjerët” duke sakrifikuar dashurinë, të qenit bashkë, të shijuarit e momenteve te pakthyeshme me fëmijët, por edhe duke tjetërsuar veten për një qëllim vetëm material duke humbur njerëzoren, kjo, e sigurt, mund të jetë, një formulë dështimi dhe vula e një çrregullimi shoqëror, që po shtohet.
*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.