“Mos shkatërroni, por ndërtoni”, mesazhi i gazetares italiane për shqiptarët që u dashurua pas vendit tonë

22 Dhjetor 2023, 08:56Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA ENTELA RESULI
Gloria Aura Bortolini

Entela Resuli

Gloria Aura Bortolini është gazetare italiane. Ajo ka qene drejtuese e një emisioni në kanalin televiziv RAI 3 në Itali me titull “Kilimanxharo”. Fokusi i këtij programi janë udhëtimet.

Ne vitin 2018 Bortolini e klasifikoi Shqipërinë në vendin e parë, si një destinacion që duhet të vizitohet.

Në reportazhin e publikuar në RAi 3, u renditën disa statistika ku tregojnë vendet ku italianët kanë regjistruar më shumë prenotime.

Duke e konsideruar si destinacion-tendencë dhe duke u mbështetur mbi shifrat e rezervimeve që ka patur Shqipëria vitin e fundit, vendi ynë u rendit i pari në listë.

“Shqipëria, që gjatë vitit të fundit ka regjistruar 88 për qind më shumë prenotime nga italianët, do të vijojë të jetë destinacioni kryesor për fqinjët tanë edhe gjatë 2018. Gjatë 10-vjeçarit të fundit më shumë se 19 mijë italianë janë transferuar në Shqipëri”, thuhet në reportazhin e RAI 3.

“Mos shkatërroni, por ndërtoni”, mesazhi i gazetares

Tre muaj më vonë, pas këtij lajmi që bëri xhiron e portaleve shqiptare, Bortolini, erdhi në Shqipëri për të parë nga afër këtë vend.

Me Glorian në atë kohë zhvilluam një takim ku biseduam dhe për udhëtimet dhe vendet që asaj i kishin bërë më shumë përshtypje në Shqipëri.

Nën diellin e ngrohtë të Tiranës, në ditën e parë të Majit, gazetarja italiane na foli për ditët e saj intensive të qëndrimit në Shqipëri (ka vizituar Tiranën, Vlorën, Sazanin dhe Karaburunin, Beratin, Kanionet e Osumit, etj.)

“Në Itali është ai perceptimi që Shqipëria është një vend i varfër, i rrezikshëm, me rrugë të vështira, por kur vjen këtu përballesh me një surprizë pozitive. Çdo gjë është ndryshe dhe nuk ka asgjë të ngjashme më atë që ke dëgjuar”, shprehet Gloria, e cila ka udhëtuar jo pak në karrierën e saj.

-Këtë na e thonë shumë të huaj, pse është kaq e vështirë të ndryshohet ky imazh për Shqipërinë? – e pyes gazetaren italiane duke dashur t’i marr një këshillë për këtë gjë.

-“Po mendoj se ka të bëj më faktin që italianët dhe jo vetëm, kanë fiksuar ato momentet e para të shqiptarëve kur erdhën në Itali dhe ndoshta duhet investuar më shumë në komunikim për të ndryshuar perceptimin në lidhje me këtë vend. Ju jeni të përndjekur nga disa klishe të gabuara të cilat nuk janë në fakt dhe nuk keni pse t’i mbani në kurriz kot. Megjithatë, mendoj se ka ndryshuar diçka, pasi shumë italianë po e vizitojnë vendin tuaj edhe qoftë me atë reklamën që bëhet gojë më gojë, gjërat nuk janë më si më parë”.

Edhe pse udhëtimi i saj në Shqipëri ka qenë intensiv ajo nuk shfaq asnjë shenjë lodhjeje. Ka pamjen e një vajze tipike italiane, e imët dhe me një buzëqeshje që nuk i ndahet asnjëherë nga portreti…

“Jam ndier shumë mirë këtu. Një gjë tjetër që e konsideroi si vlerë në vendin tuaj është mikpritja. Mund të shkosh në vendin më të bukur të botës, por po nuk të trajtuan mirë, po nuk të mikpritën atëherë, nuk ka se si të lërë shije të mirë vizita. Ju të hapni dyert dhe zemrën, ndaj këtu çdo gjë duket e bukur dhe e dashur…”

“Mos shkatërroni, por ndërtoni”, mesazhi i gazetares

-Dhe pas disa ditësh qëndrimi në Shqipëri, ke vizituar, Tiranën, Vlorën, Beratin…ke diçka për të na thënë?

“Keni një super vend, më besoni! Ndërsa ne italianët, Shqipërinë e kemi shumë afër shtëpisë dhe duhet ta frekuentojmë më tepër. Më pëlqen bashkëjetesa mes religjioneve dhe ajo mes historisë dhe modernitetit. Është vlerë që në një territor kaq të vogël i keni të gjitha, detin dhe malin, ndryshimet klimaterike dhe shumëllojshmërinë e kulinarisë. Gatuani në mënyrë fantastike prodhimet e detit dhe keni marrëdhënie shumë të mirë me mishin”.

-Gloria, një ndalesë e keni patur edhe në qytetin e Vlorës, çfarë pe në atë qytet?

“Vlora ishte fantastike. Është bukur të shohësh se si ndryshon një vend pasi Vlora është shembulli i një transformimi të shpejt dhe modeli i një qyteti të jetueshëm.

Rikonstruktimi i qendrës historike, krijimi i hapësirave pedonale i japin një vlerë të rëndësishme qytetit, gjë kjo që po humbet në vendet e tjera ku ka një zhvillim të adaptuar nga një model amerikan, ku çdo gjë është e përqendruar të qendrat tregtare dhe qendrat historike janë duke “vdekur”.

Ndërsa në vendin tuaj shoh një model ndryshe në kulturë dhe në stil jete, afërsisht si ai italian. Shqipëria është një vend i veçantë dhe i tillë duhet të mbes, nëse do të tentoni të konkurroni vendet me turizëm luksoz, ndoshta do të gaboni. Përqendrohuni te vlerat tuaja, historike dhe kulturore, te bukurit natyrore dhe keni për të qenë destinacion shumë i lakmuar për turistët në të ardhmen”.

“Mos shkatërroni, por ndërtoni”, mesazhi i gazetares

-Për t’u kthyer te Vlora…?

“Po, vizitova qytetin, ishullin e Sazanit, Karaburunit…Në një moment i thashë vetes: dua të jetoj këtu! Kryetari i Bashkisë së Vlorës ishte një njeri i cili ishte i dashuruar me qytetin e tij dhe po bënte diçka që po e ndryshonte atë vend. Faktet e tregonin këtë, Vlora kishte ndryshuar”.

-Megjithatë, na thuaj diçka që nuk të ka pëlqyer, se nuk besoj se jemi kaq perfektë?

“Nuk ka diçka që nuk më pëlqeu. Shpresoj shumë që të përfitoni nga mundësitë që keni si vend. Për shembull, pashë që kalaja e Beratit ishte bosh, pa aktivitete. Aty mund të organizohen projekte të ndryshme të cilat e ndihmojnë këtë qytet në thithjen e turistëve. Që të huajt mos të vijnë të shohin vetëm kalanë, por edhe të vizitojnë një galeri, të shohin një film, të ketë më shumë art, festivale dhe aktivitete. Një event mund të kthehet në një justifikim që të shkosh në një vend dhe ta njohësh më tepër atë”.

Me Glorian bëmë edhe një xhiro në tregun e Pazarit të Ri ku pa me kuriozitet se çfarë tregtohej aty.

“Ky vend më kujton pak Barcelonën”, na tha në një moment teksa po fotografonte ullinjtë e Beratit te një prej stendave të vendosura aty.

“Mos shkatërroni, por ndërtoni”, mesazhi i gazetares

-Ke vizituar tre qytete, tani jemi në Tiranë, çfarë të pëlqeu më shumë nga ky qytet?

“Tirana më duket një qytet i pastër, i ri… Më duket sikur jam në Zvicër dhe jo në kryeqytetin shqiptar. Më pëlqen shumë këtu. Ka gjallëri si qytet…”

Po në Vlorë?

“Në Vlorë më pëlqeu shumë Lungomare. Qyteti kishte pësuar një ndryshim shumë të madh me ndërtimin e saj. Ndërkohë Sazani dhe Karaburuni ishin fantastikë…”

Në Berat?

“Kanionet. Kur u futa për të bërë rafting m’u duk sikur u largova në një botë tjetër. Kishte një natyrë të pabesueshme dhe përjetova një aventurë të bukur. Më pas Berati vetë është i magjishëm. Rrugicat me kalldrëm, shtëpitë e bardha, historia e atij qyteti…“

“Mos shkatërroni, por ndërtoni”, mesazhi i gazetares

-Pjata më e mirë që konsumove?

“Mes mishit dhe peshkut, unë preferoj peshkun dhe në Vlorë konsumova një drekë shumë të mirë. Habitem se sa mirë i gatuani pastat, jeni shumë të mirë në këtë pikë”.

– Kemi mësuar nga ju…

“Dhe e keni bërë në mënyrë të përkryer”.

-Kur vjen si turiste dhe rri pak ditë, çdo gjë e bukur të duket, por nëse vendos të jetosh këtu, atëherë jeta nuk është kaq me ngjyra sa e përshkruani ju- i drejtohem Glorias… Por ajo më la të kuptoj se nuk ishte naive dhe kuptonte mjaft mirë këtë gjë.

“E di, por kjo është normale. Edhe Italia kështu mund t’i duket shumë turistëve, por edhe atje ka shumë probleme. Nuk po them që këtu është parajsë, por është një vend me mundësi, sidomos përsa i përket turizmit. Jeni ende në tranzicion dhe nëse ndryshon diçka në këtë vend, bie në sy. Ju duhet të shfrytëzoni mundësitë që ju jep terreni i vendit tuaj, natyra dhe pasuritë e mëdha që keni… Mos shkatërroni, por ndërtoni”- e mbyll Gloria rrëfimin e saj.

*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video