
Entela Resuli
Vitet e fundit vajzat janë bërë edhe më sportive. Jo se nuk kanë qenë, por e kanë pasur të vështirë të marrin iniciativën dhe të ngjisin maja malesh. Ka pasur, por numri i tyre ka qenë i paktë. Kohët e fundit, në grupet e ndryshme që bëjnë ngjitje në mal, numri i vajzave që u bashkohen atyre ka njohur rritje.
Njërën prej tyre e kemi takuar për të na treguar marrëdhënien e saj me natyrën dhe se çfarë përfiton duke qenë çdo fundjavë në majat e maleve në Shqipëri.
Herta Becka është më profesion stomatologe. Gjithë javën e kalon në klinikën ku punon, por kur bëhet fjala për fundjavën ajo nuk bën kompromise. Ia dedikon atë natyrës. Mesa duket Herta ia ka ndjerë të mirat kësaj marrëdhënie dhe e praktikon atë, pothuajse çdo fundjavë.
Energjia që të jep ngjitja e malit, mjafton për të kaluar një javë nën rutinën e punës në kryeqytet dhe të mos ndihesh e lodhur.
Stomatologia jonë ka lindur në qytetin e Lushnjes, dhe në fëmijëri nuk ka ngjitur maja. Këtë pasion ka nisur ta praktikojë kur u largua nga vendlindja për në kryeqytet. Mesa duket, këtu gjeti të ngjashmit e saj që kishin të njëjtin pasion.
Herta, nuk ka ngjitur vetëm male në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Ajo ka shkelur disa prej tyre dhe nuk mendon të ndalet këtu.
Në këtë bisedë stomatologia alpiniste na rrëfen më shumë mbi pasionin që ka për natyrën…
-Herta, cila është lidhja jote me natyrën?
Të gjithë ne, si çdo krijesë në fund të fundit, jemi pazgjidhshmërisht të lidhur me natyrën. Në rrjedhim prej saj, jemi pjesë e saj, zhvillohemi brenda saj dhe s’mund të jetojmë jashtë saj. Por për mua nuk është veç lidhje, nuk është vetëm pasion, është dashuri. Natyra për mua është një pikë takimi, një pikë shkëputjeje, një komunikim i brendshëm, i qartë, i kthjellet, intens që shkon përtej një aktiviteti të thjeshtë fizik. Rikthimi në natyre është çdo herë një rikthim i ëmbël tek vetja.
-Je rritur në qytet, apo mes ajrit të pastër në fshat?
Unë kam lindur dhe jam rritur në qytetin e Lushnjes pra në krahinën e Myzeqesë. Shtëpia ime është fare pranë qendrës së qytetit, por fatmirësisht dhe rrëzë kodrave të tij, praktikisht e zhytur në gjelbërim dhe e shkëputur aq sa duhet nga betoni.
-Por tani ti je një vajzë që ngjit malin gati çdo fundjavë. Kur fillove ta shohësh si mënyrë jetese këtë sport?
Alpinizmin në vetvete si sport kam nisur ta shoh më me vëmendje që në vitin 2010, kur nisa të shkëputem nga ultësira perëndimore dhe të kërkoj sfida më të mëdha. Po atë vit kam filluar ngjitjet e para.
-A mund të pyes, nëse preferon më shumë malin apo detin?
Midis malit dhe detit është e vështirë të zgjedhësh. Malin e zgjedh vazhdimisht e rregullisht thuajse çdo fundjavë. Për shkak të klimës sonë mesdhetare në mal është e mundur të shkohet gjatë gjithë vitit, ndërsa në det, pjesa e aktivitetit fizik është përgjithësisht e lidhur me verën. Megjithatë kur kam nevojë për një shkëputje aktive në natyrë zgjedh zakonisht malin. Detin e lidh më shumë me pushimin e plotë.
-Cilat janë malet që ke ngjitur në vendin tonë?
Me kaq vite aktivitet janë bërë disa malet që kam ngjitur në Shqipëri, por vlen të përmend Malin e Gramozit 2523m, Korabin 2751m, Koritnikun 2396m, Majën e Papingut 2485m në Vargmalin e Nemerçkës, Tomorrin 2416m, Veleçikun 1725m, Ostrovicën 2383 m, Gjallicën 2489m, Majën e Kollates 2556m, Malin me Gropa etj.
-Po në Ballkan?
Në Ballkan mund të përmend Olimpin 2917 m (Greqi), Musallen 2925m (Bullgari) dhe Majat në Mal të Zi e Kosovë, pjesë e ‘Peaks of Ballkan’.
-Si ishte të ngjisje majat e Ballkanit. E vështirë?
“Peaks of Ballkan” ishte një nismë e marrë me shumë entuziazëm, energji dhe pozitivistet. E mora me dashuri. Vështirësia e parë është përshtatja e trupit me një ritëm ndryshe dy ditët e para, por është vështirësi minimale e cila zbehet nëse merresh rregullisht me aktivitet fizik gjatë javës.
-Çfarë ndjesie ke kur je në një majë mali?
Përjetimet në mal janë aq të shumta e të ndryshme, sa është dhe vetë larmia e natyrës. Ecja ne vetvete është një bashkëbisedim i brendshëm, një pike kontakti, një reflektim. Natyra shkon drejt qendrës së njeriut, asaj më të pastër dhe anasjelltas. Ashtu siç shfaqet natyra me ngjyrat, shtigjet, ndryshimet e stinës; herë e ashpër me reliev shkëmbor, herë e butë e mikpritëse e herë kryeneçe, ashtu janë edhe gjendjet emocionale të njeriut. Jemi pasqyra të njëri-tjetrit. Pasqyra të mrekullisë së krijimit.
Mali nuk të imponohet, të bën një thirrje për bashkëbisedim, për një pikë takimi, për një shkëputje e boshatisje nga artificat, nga shtojcat e parëndësishme të përditshmërisë, për pastrim.
Të tregon se si njeriu mund të jetë kur është i zhveshur nga çdo ndikim social, ekonomik etj. Aty je vetëm ti dhe vullneti yt, ti dhe jeta! Një përballje e bukur e ndjerë në çdo hap, në çdo frymëmarrje.
-Maja më e vështirë që ke ngjitur deri më tani?
Maja me e vështirë për hir të kushteve të motit, reshjeve dhe erës së fuqishme e cila na bllokoi pamjen dhe vështirësoi ecjen ka qenë Ostrovica.
-Sa ka ndikuar tek ty ky pasion për ngjitjen e majave. E ka ndryshuar jetën tënde?
Ka tmerrësisht shumë përfitime në shëndet ku do të veçoja sistemin kardiovaskular. Por për mendimin tim dhe më të shumta janë përfitimet emocionale. Solidariteti në grup, kujdesi, çlirimi emocional…thjeshtësisht mali të zbut, natyra të kthen tek vetja e pastër.
-Ndërkohë, ti je një stomatologe, apo jo… pse ke zgjedhur këtë degë?
Po, unë jam stomatologe. Gjatë javës kujdesem për buzëqeshjen e njerëzve, ndërsa në fundjavë vesh këpucët e malit e i buzëqesh natyrës. Natyra dhe njeriu janë pasqyrë të njëri-tjetrit. Aq sa e dua natyrën, e dua dhe njeriun. Kujdesi për këtë të fundit, qenien e pastër që fshihet pas një buzëqeshjeje dhe dashuria, janë arsyet që më shtynë drejt këtij profesioni. Më vjen mirë dhe sot të marr pjesë në zbukurimin e asaj që vjen menjëherë pas shkëlqimit të syve, pra shkëlqimin e buzëqeshjes.
-Herta, ka shumë vajza që në fundjava zgjedhin të qëndrojnë kafeneve. Sipas teje, pse duhet të çohen nga kafja dhe të udhëtojnë në natyrë?
Vitet e fundit është shtuar shumë numri i vajzave që vijnë në mal për mos të thënë që shpesh janë në maxhorancë ndaj djemve.
Unë ua sugjeroj të gjithëve një ecje qoftë të vogël, por aktive çdo javë sepse lëvizja është jetë. Ecja në natyrë është “oksigjen”. Pa lëvizje dhe pa oksigjen s’mund të jetohet. Një kafe në mes të betonit nuk e zëvendëson kurrë një orë ecje. Trupi zgjohet, gjithçka funksionon më mirë, më rrjedhshëm dhe energjia e përfituar nuk merret kurrë nga një kafe dhe qëndrimi sedentar.
– Edhe sa kohë do e bësh këtë gjë. Të ngjitësh majat e maleve?
Nuk besoj se do shkëputem ndonjëherë nga natyra, se nuk do shkëputem ndonjëherë nga vetja. Ndoshta mund të ndryshoj shpeshtësia e lëvizjes, por jo lëvizja në vetvete.
-Udhëtimi i fundit që ke bërë, apo maja që ke ngjitur?
Maja e fundit ka qenë Maja e Polisit, Librazhd.
-Po i radhës, cili do të jetë?
Në të ardhmen e afërt kam në plan Majën e Jezercës dhe ‘Via Dinarica’- Shqipëri – Slloveni e më vonë pse jo, Malin e Bardhë.
'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e VoxNews.
***
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.