Foto historike nga një student austriak që sot është ‘avokat’ i Shqipërisë

7 Dhjetor 2023, 14:24Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Robert Pichler

Nga Entela Resuli*

34 vite më parë Robert Pichler erdhi në Shqipëri krejt rastësisht, por prej asaj kohe do të lidhej ngushtësisht me këtë vend.

Një të huaji që viziton Shqipërinë e vitit 1989 sigurisht që e ka të vështirë të mos kujtojë këtë vend.

Mban mend se gjithçka ishte gri në atë periudhë. Nuk kishte ngjyra, të paktën jo në veshjet e njerëzve. Por diçka me tepër se sa kaq e tërhoqi Pichler dhe e bëri që ai të kthehej herë pas herë, madje duke mësuar edhe shqip.

Ai sot është një albanolog i njohur dhe një nga njerëzit që mbron fort kulturën dhe vlerat e vendit tonë në Europë.

-Robert, si ka qenë kontakti juaj i parë me Shqipërinë? Si e kujtoni vizitën e parë në këtë vend?

Kontakti i parë e kisha në vitin 1989, erdha në Shqipëri me një grup studentësh për të bërë një udhëtim nëpër qytetet e Shqipërisë.

Kjo përvojë e parë ishte shumë e keqe, unë u trondita nga situata në vend, nga trishtimi që mbizotëronte, nga kontrolli që u ushtrua kudo.

Njerëzit nuk lejoheshin të bisedonin me ne edhe pse i gjetëm mënyrat për t’i kontaktuar me ta. Monotonia që shihej në hapësirën publike ishte veçanërisht e keqe, pa ngjyrë, pa dritë në mbrëmje, burra të cilët të gjithë kishin të njëjtën jelek dhe mbanin të njëjtat veshje.

Ne dinim shumë pak për Shqipërinë në atë kohë. Dinim që vendi ishte i izoluar, kishte një diktaturë të rrepte, por edhe që ishte një vend i bukur, me shumë male dhe një bregdet të gjatë.

Disa prej nesh kishin një vizion romantik të Shqipërisë, para se të vinin këtu mendonin që Shqipëria mund të kishte marrë një rrugë interesante, që kishte punësim të plotë, kishte pak krim dhe progres. Një vend që kishte arritur të emancipohej nga Bashkimi Sovjetik, i cili kishte ruajtur identitetin e vet – këto ishin idetë mitike.

-A e ndryshoi jetën tuaj vizita në Shqipëri?

Jeta ime ka ndryshuar në mënyrë drastike përmes Shqipërisë.

Isha shumë kurioz për këtë vend. Doja të kthehesha sa më shpejt që të ishte e mundur. Në vitin 1992, unë u ktheva në Shqipëri për 6 muaj, dhe ishte fillimi i një udhëtimi të gjatë që vazhdon deri sot.

Prej atëherë kam punuar me tema lidhur me çështjet shqiptare, këtu në Shqipëri, më vonë në Kosovë dhe më në fund në Maqedoni.

Magjistraturën i kam kryer për një temë i lidhur me Shqipërinë, doktoraturën me një temë lidhur me Kosovën dhe post doktoraturën me një temë lidhur me Maqedoninë.

Jam shumë i lumtur që jam kthyer tani në Shqipëri me këtë ekspozitë, fotot dhe kujtimet e shumta të viteve ’90.

-Disa vite me parë ju keni hapur një ekspozitë me foto në Tiranë. Kur i keni shkrepur këto foto e mendonit që një ditë ato të do të kishin këtë vlerë për vendin tonë?

Unë kurrë nuk kam pritur që këto foto të fitojnë një vlerë të tillë. Unë nuk erdha këtu si fotograf, por si student. Fotografia ishte një lloj ndihme e punës për mua, por unë isha një fotograf i pasionuar.

Gjithashtu, kam dashur të udhëtoj në të gjithë vendin, në veri, në jug, në lindje, në bregdet. Ato ishin udhëtime interesante me takime interesante që kane mbetur thellë në kujtesën time. Jam shumë i kënaqur që fotot po marrin një kuptim të ri sot dhe kjo falë vizionit të kuratores Edit Pula për këtë ekspozitë dhe bashkëpunimit të ngushtë me të.

*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Video