Tirana “UDHËHEQ” ndërtimin/ Në vitin 2024, vlera e përafërt e lejeve në kryeqytet u vlerësua në rreth 690 MILION euro

1 Mars 2025, 22:58Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shqipëri

Të dhënat më të fundit tregojnë se lejet e dhëna për ndërtim në Shqipëri kanë arritur vlerën e 106.4 miliard lekëve në total në vitin 2024, ose 1 miliard euro, nga 89.6 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2023, duke shënuar një rritje prej 18.8%.

Ajo që vihet re nga të dhënat është Tirana si qarku me peshën më të lartë në këto shifra.

Vlera e lejeve të dhëna për ndërtim në kryeqytet arriti në 69.2 miliardë lekë, me një rritje prej 35.9%, krahasuar me vitin 2023 kur llogariteshin rreth 50.9 miliardë lekë.

Qarku i dytë me vlerën më të lartë është Durrësi, ku shifrat për vitin 2024 flasin për rreth 11.5 miliardë lekë vlerë e leje për ndërtime të reja.

Edhe pse renditet i dyti me vlerën më të lartë, krahasuar me vitin 2023, shifra paraqitet me rënie.

Në radhë ndjek Elbasani me 6.2 miliardë lekë, pasuar nga Vlora me 4.7 miliardë lekë. Nëse do të flisnim për ndryshimin vjetor të vlerës së lejeve të dhëna sipas qarqeve, shohim se rritjen më të madhe e regjistron Lezha dhe Gjirokastra me 174% dhe 166% përkatësisht.

Ndërkohë, nga ana tjetër, qarqet me rënie të vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike janë Kukësi me 88%, Vlora me 57%, Shkodra me 38.9%, Durrësi me 14% dhe Fieri 0.4%./Scan

Video