
Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural Anila Denaj tha sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se janë caktuar 10 zona te të cilat do të mbillet kanabisi.
Denaj tha se zonat janë përzgjedhur në bazë të studimeve të mirëfillta. Sipas saj në listë nuk përfshihen zonat me bujqësi të zhvilluar siç është zona e Myzeqesë dhe ajo e Korçës.
"Kjo është në vijim të një ndryshimi ligjor të bërë 2 vite më parë. Aktualisht janë 10 zona kadastrale të cilat janë përcaktuar në bazë të një studimi dhe këto 10 zona janë të mirëpërcaktuara. Janë në të gjithë Shqipërinë, ku cilësia e tokës është e përshtatshme, janë të përjashtuara zonat me intensitet të lartë bujqësor siç janë Myzeqeja dhe Korça", tha Denaj.
Denaj po ashtu njoftoi sot se Këshilli i ministrave miratoi skemën e subvencioneve për fermerët dhe blegtorët. Ajo tha se kjo ka të bëjë me përcaktimin e kriterit bazë dhe masën e financimit për të gjithë sektorët që do mbështeten nga fondet e programit për zhvillimin rural, thënë ndryshe skema e subvencioneve.
“Miratuam sot vendimin për fermerët dhe blegtorët. Përcaktimin e kriterit bazë dhe masën e financimit për të gjithë sektorët që do mbështeten nga fondet e programit për zhvillimin rural, thënë ndryshe skema e subvencioneve. Ky është vit i rëndësishëm për bujqësinë shqiptare, skema e subvencioneve nis sot”, tha Denaj.