
Shoqëritë e sigurimit i rritën fitimet nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve vitin e kaluar.
Të dhënat e raportit të mbikëqyrjes nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se bilanci i llogarisë teknike për produktin e sigurimit të përgjegjësive motorike ndaj palëve të treta ishte me fitim në vlerën e 1.26 miliardë lekëve ose rreth 13 milionë eurove. Fitimi nga ky produkt u rrit me 22% krahasuar me një vit më parë.
Sigurimi i detyrueshëm TPL solli 40% të fitimit neto të tregut të sigurimeve të Jo-Jetës vitin e kaluar.
Rritja e fitimeve erdhi nga zgjerimi i primeve të shkruara bruto dhe primeve të fituara, ndërkohë që raportet dëme/prime dhe shpenzime/prime pësuan rënie.
Raporti dëme/prime neto u ul në 41.45%, nga 42% që kishte qenë në vitin 2024. Ndërsa raporti mes shpenzimeve të marrjes në sigurim dhe dëmeve pësoi gjithashtu rënie në 24.74%, nga 26.7% që kishte qenë një vit më parë.
Duke filluar nga fillimi i vitit të kaluar, nisi zbatimi i rregullores së AMF-së “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Rregullorja parashikon se, në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.
Aplikimi i primeve të diferencuara mbi këta faktorë rreziku solli një rritje të primit mesatar të sigurimit me 6% krahasuar me vitin 2024. Shtrenjtimi i primit mesatar vlerësohet se ka luajtur një rol të konsiderueshëm në rritjen e fitimeve e tregut të sigurimeve nga ky produkt.
Sigurimet e detyrueshme motorike kanë një peshë shumë të lartë në strukturën e primeve të shkruara bruto në sigurimet e Jo-Jetës. Për vitin 2025, sigurimi i brendshëm TPL solli më shumë se 58% të primeve të shkruara bruto të këtij tregu. Së bashku me Policën Kufitare dhe Kartonin Jeshil, produktet e detyrueshme motorike përbënin pothuajse 69% të primeve të shkruara bruto. Rrjedhimisht, edhe fitimi i këtyre produkteve ka një rëndësi përcaktuese në ecurinë e rezultatit total të tregut.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në total fitimi i tregut të sigurimeve të Jo-Jetës vitin e kaluar arriti vlerën e 3.14 miliardë lekëve ose 32.4 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, fitimi i kompanive të sigurimit të Jo-Jetës u rrit me 56%.