KE propozon përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në zonën pa roaming

25 Shkurt 2026, 20:19Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Komisioni Europian ka bërë të ditur se ka propozuar nisjen e negociatave me gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor për t’i përfshirë ato në regjimin e Bashkimi Europian “Roam Like at Home”, një rregullore e BE-së që u mundëson përdoruesve të telefonisë mobile të përdorin telefonat e tyre në shtetet e tjera anëtare me të njëjtat çmime si në vendin e tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, përmes një shkrimi në rrjetin social X.

“Tarifat e roaming-ut janë problem në gjithë Ballkanin Perëndimor – për punëtorët që punojnë jashtë vendit dhe për familjet që telefonojnë më të dashurit e tyre. Faturat e papritura gjatë udhëtimeve janë diçka që ne nuk e pranojmë më në BE. Sot propozojmë nisjen e bisedimeve për ta përfshirë në këtë edhe Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Kos në X.

“Roam Like at Home” u inicua nga Bashkimi Europian në qershor të vitit 2017 dhe aktualisht zbatohet për shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e Zonës Ekonomike Europiane.

Me këtë propozim për nisjen e bisedimeve, Komisioni Europian kërkon miratimin e Këshilli i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me partnerët nga Ballkani Perëndimor.

Hapi i radhës, pasi Këshilli ta miratojë kërkesën, është që Komisioni Europian të zhvillojë negociata për marrëveshje dypalëshe me secilin shtet të rajonit. Pas përmbylljes me sukses të këtyre marrëveshjeve, do të hapet rruga që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e zonës “Roam Like at Home” në BE.


Video