Pavarësisht përhapjes së pagesave me kartë dhe përmes telefonit, qytetarët europianë po mbajnë gjithnjë e më shumë para cash në shtëpi, për shkak të shqetësimeve për luftërat, zjarret, përmbytjet dhe sulmet kibernetike.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Europiane (BQE), vlera e kartëmonedhave në qarkullim është rritur nga rreth 1 miliard euro në vitin 2016 në 1.6 miliardë euro në qershor 2026.
Philip Lane, kryeekonomisti i BQE-së, tha se përdorimi i kartëmonedhave në transaksionet e përditshme mund të jetë në rënie, por numri total i kartëmonedhave që njerëzit mbajnë në qarkullim vazhdon të rritet.
Kjo prirje lidhet pjesërisht me frikën se sistemet elektronike të pagesave mund të ndërpriten në raste emergjencash. Sulmet kibernetike ndaj kompanive dhe institucioneve evropiane, si edhe katastrofat natyrore të viteve të fundit, kanë nxitur autoritetet të këshillojnë qytetarët të kenë rezerva bazë cash.
Në vitin 2025, qytetarëve të BE-së iu rekomandua të kishin në shtëpi furnizime të mjaftueshme për të paktën 72 orë, përfshirë ujë, ushqime dhe mjete të tjera bazë. Në këtë paketë emergjence përfshihej edhe cash-i.
Austria, Finlanda, Gjermania, Suedia dhe Holanda kanë rekomanduar që familjet të mbajnë rreth 70 deri në 100 euro, në mënyrë që të mund të blejnë produktet kryesore nëse sistemet e pagesave elektronike dhe aplikacionet bankare nuk funksionojnë.
Ekspertët theksojnë se paratë cash nuk duhet të konsiderohen vetëm si një zgjidhje për raste krizash. Sipas tyre, nëse përdorimi i cash-it zhduket plotësisht në jetën e përditshme, mund të bëhet më e vështirë përdorimi i tij pikërisht kur sistemet digjitale të mos jenë të disponueshme.
BQE e konsideron cash-in një element të rëndësishëm të gatishmërisë kombëtare ndaj krizave, ndërsa ka bërë thirrje për ruajtjen e një rrjeti të aksesueshëm bankomatësh në të gjithë Europën.
Përveç emergjencave, ekspertët nënvizojnë se cash-i mbetet i rëndësishëm për të moshuarit, personat vulnerabël dhe ata që mund të kenë akses të kufizuar në shërbimet bankare digjitale.