Konflikti Iran-Izrael dhe zhvillimet e pritshme

17 Qershor 2025, 20:29Pikëpamje SHKRUAR NGA SAMI NEZIRI
Konflikti Iran-Izrael dhe zhvillimet e pritshme

Ashtu siç pritej, konflikti Iran-Izrael ka vazhduar edhe gjatë 24 orëve të fundit me goditje të ndërsjella dhe duket se do të vazhdojë gjatë. Do të jetë një konflikt unik për nga mënyra se si po zhvillohet, pa patur një vijë fronti dhe pa qëllime për kapje e mbajtje territori. Kjo është një luftë e hapësirës ajrore, kibernetike dhe psikologjike, ku suksesi apo dështimi matet me sasinë e dronëve, raketave, avionëve të përdorur, saktësinë e tyre apo masat neutralizuese të kundërshtarit. Është një prolog drithërues se si mund të zhvillohen luftërat e ardhshme, në distancë, goditje të shpejta, shkatërruese, pa u angazhuar asnjë ushtar i vetëm në luftime të drejtpërdrejta. Konflikti aktual, nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, ka mundësi të zgjasë jo me ditë apo javë, por me muaj të tërë (për të mos thënë vite) si një konflikt me intensitet të ulët dhe me goditje të ndërsjella. Për momentin, palët i druhen një lufte në shkallë të gjerë për arsye të kostove të larta njerëzore, ekonomike dhe politike. Çdo shenjë se Irani përshpejton pasurimin e uraniumit mund të shkaktojë sulme të reja izraelite dhe kundërpërgjigje të Iranit e grupeve që ajo mbështet në rajon.

Trajektorja bërthamore e Iranit

Që nga viti 2018, kohë kur SHBA u tërhoq nga Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) për programin bërthamor Iranian, Teherani ka dyfishuar në heshtje kapacitetet e tij të pasurimit të uraniumit duke arritur në 60% pak përpara sulmit izraelit. Për të arritur nivelin 90% të pasurimit të uraniumit, kërkesë e nevojshme për të krijuar mbushjen bërthamore, i duheshin vetëm disa javë.

Goditja e fundit e Izraelit,asgjësimi i lidershipit të lartë ushtarak dhe shkencëtarëve nuklearë, ka favorizuar përkrahësit e vijës së ashpër në Iran, të cilët kanë qenë kundër negociatave dhe i përmbaheshin idesë se vetëm arma bërthamore mund ta mbajë Izraelin dhe SHBA larg tyre.

Në katër raundet e bisedimeve prill-maj 2025 u dha sinjali se Irani mund të bëjë hapa prapa në programin e saj bërthamor në këmbim të lehtësimit real të sanksioneve.

Me situatën e krijuar dhe me mundësitë e negocimit me ndërmjetësim, para Iranit shfaqen tre alternativa të mundshme: a) vazhdimin e pasurimit të uraniumit deri afër kufijve të nivelit 90% dhe pastaj negocimi i kushteve në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, b) ruajtja e nivelit aktual të pasurimit, duke qenë fare afër kufirit të pasurimit të plotë, ofrimi i një transparence minimale për agjencinë atomike (IAEA) dhe shmangien e masave shtrënguese të saj, c) rikthimi te Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) dhe te normat minimale të lejuara të pasurimit të uraniumit. Në këmbim të kësaj, lehtësimin e sanksioneve dhe heqjen e kufizimeve për raketat balistike.

Nëse do kemi një dominim të vijës së ashpër brenda Iranit, do të pasohet nga vendimi për vazhdimin e përpjekjeve për armatosje të mëtejshme dhe vazhdimin e programit bërthamor, duke hapur kështu garën rajonale të armatimeve dhe përshkallëzuar më tej situatën e sigurisë në rajon.

Një marrëveshje e pranueshme nga palët para tetorit 2025 do të varet nga qëndrimi i SHBA dhe zgjedhjes sëTeheranit mes vijës së ashpër dhe asaj të moderuar. Me një fjalë, e ardhmja bërthamore e Iranit varet se nga do anojë peshorja në politikën e saj të brendshme, mes vijës së ashpër që kërkon armën bërthamore dhe pragmatistëve që dëshirojnë lehtësimin e sanksioneve.

Qëndrimi i Izraelit ndaj programit bërthamor të Iranit

I gjithë qëndrimi strategjik i Izraelit është ndërtuar rreth idesë se një Iran i armatosur me armë bërthamore do të përbënte një rrezik ekzistencial për të. Lidershipi i Teheranit ka bërë thirrje të përsëritura për shkatërrimin e Izraelit, dhe Irani tashmë posedon raketa balistike të afta për të goditur kudo në Izrael. Posedimi i armës bërthamore nga Irani do të shkatërronte monopolin bërthamor unik të Izraelit në rajon, duke e përmbysur ekuilibrin në mënyrë të pakthyeshme në favor të Teheranit.

Megjithëse Izraeli nuk e ka konfirmuar kurrë zyrtarisht arsenalin e tij, aftësia e tij bërthamore mbështetet në të ashtuquajturin "Opsioni Samson", ose doktrina e padeklaruar e përdorimit të armës bërthamore kundër çdo rreziku ekzistencial për shtetin izraelit. Nëse Irani do të prodhonte armën e vet bërthamore, kjo doktrinëshembet dhe Izraeli do të përballej me një mjedis shumë më të pasigurtë.

Nga ana tjetër, fuqizimi bërthamor i Iranit jo vetëm që do ta inkurajonte atë vetë, por do të fuqizonte edhe organizatat që ajo mbështet, si Hezbollahu në Liban dhe Hamasi në Gaza, duke e bërëçdo hakmarrje të ardhshme të Izraelit shumë më të rrezikshme. Me armën bërthamore në arsenalin e vet, Irani do tëmund të krijonte një mburojë përmbështetësit e tij i bindur se Izraeli nuk do të rrezikonte të kalonte vijëne kuqe.

Planifikuesit ushtarakë izraelitë i përmbahen doktrinëssë “vetëmbrojtjes paraprake” kur përballen me një kërcënim ekzistencial të afërt. Pasi infrastruktura e Iranit për pasurimin e uraniumit arriti masën kritike në qershor 2025, Izraeli gjykoi se pritja më gjatë do t’i jepte Iranit aftësinë e pakthyeshme për të ndërtuar armënbërthamore.

Shkurt, për Izraelin, një Iran i armatosur me armë bërthamore nuk është vetëm një kundërshtar tjetër, por një regjim i aftë dhe i zotuar për shkatërrimin e tij me çdo mjet e mënyrë. Ky kombinim e bën programin bërthamor iranian një vijë të kuqe të panegociueshme për Izraelin.

A është në gjendje aktualisht Irani të prodhojë armë bërthamore?

Sipas Agjencisë Atomike (IAEA), sulmet e Izraelit në uzinën e pasurimit të uraniumit në Isfahan ka të ngjarë të kenë penguarprogramin bërthamor iranian të paktën me disa muaj. Edhe pse instalimet nëntokësore të pasurimit në Natanz mbeten të paprekura, rivendosja e situatës normaletë ciklit të pasurimit do të kërkojë disa muaj të tjerë riparimesh komplekse ose furnizime me pajisje të reja. Në praktikë, kjo do të thotë që Irani nuk do të jetë në gjendje të ketërendimentin e pasurimit të uraniumit tëpara sulmit të paktën deri në fund të vitit 2025.

Në fakt, stoku ekzistues i uraniumit të pasuruar 60 përqind është më shumë se i mjaftueshëm për të prodhuar disa mbushje bërthamore. Sipas një raporti konfidencial të Agjencisë Atomike të OKB (IAEA), Teherani kishte rreth 408.6 kg uranium të pasuruar 60 përqind që nga mesi i majit 2025, të mjaftueshme për rreth dhjetë mbushje bërthamore.

Teknikisht,pasurimi i këtij materiali nga 60 përqind pastërti në 90 përqind është i realizueshëm shumë më shpejt sesa fillimi nga nivele më të ulëta të pasurimit. Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se Irani mund ta shndërrojë stokun e tij aktual (pasurim 60%) në uranium të gradës së nevojshme përmbushje bërthamore në më pak se dy javë. Edhe me kapacitete të kufizuara pas sulmeve të fundit, Irani mund të mbështetet në rezervat e tij të akumuluara dhe ka të ngjarë të ketë nevojë vetëm për disa javë për të siguruar uranium të mjaftueshëm të gradës së duhur të paktën për një mbushje bërthamore, nëse merret një vendim i tillë politik.

Megjithatë, të kesh uranium të pasuruar është vetëm një pjesë e ekuacionit. Ndërtimi i një arme bërthamore kërkon më shumë se kaq dhe është më kompleks. Njohuritë teknike të Iranit në këtë fushë gjykohen të përparuara, por ende jo plotësisht të testuara ose të provuara në praktikë. Kështu që, një mbushje bërthamore e plotë dhe operacionale mund të kërkojë ende disa muaj shtesë kërkim dhe zhvillim testimesh të dedikuara pasi të kapërcehet pengesa e uraniumit të pasuruar 90%.

Zhvillimet e mëtejshme dhe mundësia e bisedimeve

Zhvillimet e mëtejshme janë të varuara nga zgjedhjet e Iranit dhe qëndrimi i SHBA, që ende nuk e ka thënë fjalën e fundit. Sa për Izraelin, nuk pritet të heqë dorë nga qëllimi i saj për të mos lejuar Iranin të prodhojë armën bërthamore.

Sipas shumicës së parashikimeve në nivel ekspertësh, nuk pritet të ketë një armëpushim në ditët e ardhshme, por vazhdim të sulmeve ajrore e kibernetike të ndërsjella. Dinamika aktuale mund të ndryshojë vetëm nëse SHBA vendosin se çfarë do të bëjnë dhe se si do të reagojë politika e brendshme iraniane.

Nëse do të kishte bisedime për një paqe të mundshme, shtetet më të përshtatshme që mund ta ndërmjetësonin këtë do të ishin Katari, Omani dhe Turqia.

Katari është një ndërmjetësues dhe organizator i provuar, i njohur për bisedimet indirekte SHBA-Taleban (2020) dhe negociatat për armëpushim në Gaza, duke patur sukses aty ku shtete më të fuqishme kishin ngecur. Në rastin konkret, Katari mban marrëdhënie të mira me Izraelin, Iranin, Hamasin dhe shtetet e Gjirit, duke e bërë një ndërmjetësues të besueshëm ku të gjitha palët besojnë se do të dëgjohen.

Omani përfaqëson më së miri “diplomacinë e padukshme". Ai sapo ka ndërmjetësuar një marrëveshje sigurie detare SHBA-Houthi në Detin e Kuq, duke dëshmuar se mund t'i bëjë palët ndërluftuese të ulen e të merren vesh me njëri-tjetrin. Ndryshe nga fqinjët e saj, Omani i ka shmangur vazhdimisht aleancat e mëdha, kështu që shihet si një ndërmjetësues teknik pa interes te palët. Në Oman u mbajtën katër raundet e para të bisedimeve SHBA-Iran pas vitit 2018, duke mbajtur linjat e bisedimeve hapur edhe kur diplomacia zyrtare në fakt nuk funksiononte.

Turqia, anëtare e NATO, me lidhje historike të epokës osmane me Levantin, është e pranueshme edhe për Perëndimin edhe për vendet islamike, gjithnjë nëse i reziston presionit të brendshëm për të mbajtur anë. Përpjekjet e Erdo?an në Libi e Siri tregojnë se Turqia mund t'i mbajë palët të angazhuara në negociata edhe kur diplomacia zyrtare lëkundet. Roli i Turqisë në Gaza (koridoret humanitare), ndikimi i saj mbi fraksionet në Sirinë veriore dhe fuqia e saj detare në rritje në Mesdheun Lindor i japin asaj një avantazh unik, megjithëse rrezikon prishjen e balancave për arsye të presionit të brendshëm.

Nga të tre këto vende, receta e Omanit për neutralitet, mikpritje dhe efikasitet procedural krijon besimin e nevojshëm që Irani dhe Izraeli të ndërmarrin hapa drejt uljes së tensioneve dhe gjetjes së një zgjidhje të pranueshme.

*Sami Neziri është analist për çështjet e sigurisë

Video