Denoncim për dhunë në mes të Tiranës

27 Gusht 2026, 20:09Pikëpamje SHKRUAR NGA LUTFI DERVISHI
Foto ilustrim me AI

Të nderuar qytetarë,

Dje, rreth orës pesë pasdite, në një cep të pandriçuar të bulevardit, pikërisht aty ku protestuesit hartojnë planet për rrëzimin e qeverisë, dhe policia arrestoi koordinatorin e krimit, pashë një skenë tronditëse: një bandë lekësh të fortë, kryesisht kartëmonedha me prerje pesëmijëshe e dhjetëmijëshe kishte rrethuar një euro dhe po e rrihte pa mëshirë.

Një pesëmijëshe e kapi nga cepi dhe i bërtiti: “kush je ti që vjen këtu e na bën konkurrencë ?!

Euroja, e mavijosur e zhubrosur në të dyja anët, u përpoq të shpjegonte se kishte ardhur vetëm për turizëm, por askush ia vuri veshin.

Dollari, që rastisi aty pranë, u largua me hapa të shpejtë duke mërmëritur: “Sot ajo, nesër unë. Ç'më duhet mua të krruhem me lekun.”

Franga zvicerane, si gjithmonë neutrale, nuk ndërhyri. Ajo qëndroi në distancë, filmoi gjithçka me një aparat zviceran dhe deklaroi se, për çdo rast, do ta ruante pamjen në një kasafortë.

Paundi britanik, siç e ka zakon, mbajti distancë dhe rregulloi kollaren: “Nuk është problemi ynë. Ne dolëm nga BE-ja.”

Ndërkohë, një lirë turke u afrua për të ndihmuar euro, por u shkel me këmbë nga dy kartëmonedha dy mijëshe.

Unë telefonova urgjentisht Bankën e Shqipërisë. Pas shtatë minutash muzikë pritjeje, një zë i regjistruar m’u përgjigj: “Të gjithë operatorët janë të zënë duke stabilizuar kursin e këmbimit. Ju lutem prisni. Nëse euroja po dhunohet, shtypni një... Ende jam në pritje.

Kërkoj veprime të menjëhershme nga SPAK, kamera sigurie në çdo cep ku qarkullon valutë e huaj dhe një komision parlamentar për të hetuar dhunën ndaj euros.

I bëj thirrje çunave andej dhe popullit këtej të kujtojmë doket dhe zakonet që kemi. Nuk është në traditën tonë të poshtërojmë mikun. Jemi vend krenar dhe me Besë. Shtëpia e shqiptarit është e Euros dhe Dollarit. Dhe kur euro a kushdo qoftë vjen për turizëm nuk duhet ta presim në besë!

Skenat e dhunës ndaj monedhës europiane janë turp që do të na rëndojnë në ndërgjegje deri ditën që do të na marrin zvarrë për në BE

Me shqetësim

Një kambist veteran!


Video