U ekstraduan nga Dubai, GJKKO jep vendimin për 3 "ushtarët" e Talo Çelës!

21 Qershor 2025, 12:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku, Ervis Daka dhe Maksim Koçi

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” që kishte vendosur në mungesë ndaj tre ushtarëve të Talo Çelës.

Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku, ndaj Ervis Dakës dhe Maksim Koçit u ekstraduan pak ditë më parë (20 Qershor) nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt vendit tonë.

Ata akuzohen nga SPAK dhe GJKKO për vepra të rënda penale si vrasje dhe sigurim i mjeteve për të kryer vrasje.

Tre të ekstraduarit njihen si bashkëpunëtorët e ngushtë të të shumëkërkuarit tjetër Talo Çela.

Ervis Daka akuzohet se ka informuar shtetasit që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij.

Ai ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S. Po ashtu ka strehuar dhe ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar Talo Çela.

Maksim Koçi ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A. Ai ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S dhe ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar Talo Çela për t’u fshehur.

Ndërsa Ado Xhika akuzohet se për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin Talo Çela duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë. Po ashtu ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit Talo Cela.

Njoftimi:

Vijon bashkëpunimi shumë i ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të lokalizuar, kapur dhe ekstraduar shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare.

Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, 3 shtetas të akuzuar nga GjKKO-ja, si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe si përkrahës të një shtetasi të shumëkërkuar.

3 shtetasit e ekstraduar u kapën disa javë më parë, nga Policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.

Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Ëanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

Të tre shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.


Video