Me 10 nëntor 2016 paketa maxhoritare e aksioneve të kompanisë koncensionare, u ble nga kompania Arimo B.V., për 160 mijë euro, e cila ishte e regjistruar në Holandë. Në të njëjtën adresë ku rezultonin edhe kompani të tjera të lidhura me Klodian Allajbeun . Por, nuk mbaron me kaq. Kompania Arimo B.V., zotëron mes të tjerash një kompani farmaceutike të quajtur FARMACOM. Aty, sërish del emri i mjekut Ertel Kërçuku si administrator. Edhe më interesante aty është zbulimi i administratores së shoqërisë “Arimo BV” që bleu konçesionin e Dializës. Fjala është për juristen Xhejni Zela. Sipas listës së pagave që rrodhi në publik, ajo rezulton punonjëse në Studion e Avokatisë që mbron interesat e Spitalit Amerikan dhe rrjetit të kompanive të Klodian Allajbeut.
Pra, me gjithë përpjekjet, asgjë nuk mund të fshihet. Këto konstatime, duhet të jenë objekt hetimi i organeve kontraktuese dhe Autoritetit të Konkurrencës. As ky kamuflim me kompaninë e ashtuquajtur holandeze nuk ishte i sigurtë për biznesmenin Allajbeu që synonte të zhdukte gjurmët e tij pas koncesioneve.
Më 25 qershor 2019, kompania e koncensionit të hemodializës iu shit kompanisë fantazmë suedeze Diaverum International AB, për 1.5 milionë euro. Sërish një vlerë e ulët dhe pa logjikë ekonomike në raport me përfitimet që sillte kontrata koncesionare.
‘Dyshohet sepse ne momentin që ti shet një biznes m pak se vlera reale kjo tregon se ka arsye të dyshohet për evazion fiskal’ u shpreh eksperti ekonomisë, Klodian Muço.
‘Shitja me një vlerë të ulët pa kurrfarë lidhje më tregun duhet parë si element i dyshimit të bazuar për përfitim të dikujt pra për aktivitet korruptiv’ u shpreh eksperti ekonomisë, Zef Preçi.
Sipas dokumenteve, Klodian Shehi mban pozicionin e drejtuesit të kompanisë ‘suedeze’ DIAVERUM INTERNATIONAL AB”, që mori në pronësi 100 % kompaninë “DiaVita” . Klodian Shehi rezulton të jetë një tjetër person i besuar i Allajbeut. Ai është kunati i biznesmenit, bashkëshorti i motrës. Ky person shfaqet si drejtues apo aksioner edhe në kompani të tjera të bosit të kontratave të shëndetësisë. Pasi u zbuluan këto të dhëna, koncesioni shitet sërish. “Diaverum” që në vetvete zotëronte kompaninë e zbatimit të koncesionit u shit tek “M42” e Abu Dhabi. Një ndërmarrje e kujdesit shëndetësor e krijuar rishtazi nga fondi shtetëror “Mubadala Investment Company” dhe firma e inteligjencës artificiale G42.
Ndryshimi i pronësisë kundrejt kushteve fillestare qoftë edhe te një kompanie tjetër të të njëjtit profil mund dhe duhet të jetë objekt hetimi penal’ u shpreh eksperti ekonomisë, Zef Preçi.
Mbetet për tu parë se cilët janë emrat që fshihen pas kompanisë së re që zotëron kontratën e Dializës. Ajo që dihet me siguri është se vitet e fundit, në Emiratet e bashkuara Arabe mjaft shqiptarë të botës së krimit kanë transferuar shuma të mëdha parash me burim korrupsionin dhe krimin.