Ndryshe nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, e cila prej 1 shtatorit ka vendosur në zbatim rregulloren e re që censuron median, Apeli i GJKKO nuk i është bashkuar këtyre kufizimeve, edhe pse të dyja gjykatat ndodhen në të njëjtën godinë. Këtë të mërkurë, gazetarët janë lejuar të hyjnë në ambientet e Apelit me telefonat celularë, të cilët do të lejohen edhe gjatë seancave gjyqësore.
Ishte gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Saida Dollani e cila u garantoi gazetarëve sot se rregullat e transparencës nuk do të ndryshojnë dhe se rregullorja e hartuar nga GJKKO nuk do të zbatohet nga Apeli.
“Rregullat e transparencës tek ne nuk ndryshojnë. Nëse ju pengojnë të qëndroni në hollin tonë me vini në dijeni”, u tha Saida Dollani-gazetarëve.
Shoqatat e gazetarëve e kanë kundërshtuar ashpër rregulloren e re të GJKKO-së, e cila sjell kufizime të forta për mediat, deri te ndalimi i përdorimit të telefonave, regjistruesve brenda në sallën e gjyqit dhe kamerave.
Rregullorja e re është edhe nën ‘lupën’ e OSBE-së, e cila thotë se po e ndjek çështjen nga afër. Në një reagim për gazetaren e Report Tv Raziela Myslimaj, prezenca e OSBE-së në Shqipëri thotë se është në komunikim me Gjykatën e Posaçme dhe po konsultohet edhe me palë të tjera të interesuara.