Gazetarja Klodiana Lala është shprehur mbrëmjen e kësaj të marte se rrafshimi i hotel “Bizant” në Sarandë është bërë me një sasi të madhe prej 50 kg tritol. Autoritetet, tha ajo, dyshojnë se personi që ka montuar lëndën eksplozive ka qenë ekspert.
E ftuar në “Open”, Lala ka theksuar se Sotir Çabiri, personi i vetëm i arrestuar dhe autor i dyshuar i ngjarjes, ishte larguar nga hoteli vetëm dy minuta para se të ndodhte shpërthimi. Familja e tij ishte në gjyq për këtë objekt me një nga bashkëpronarët grek dhe kishin humbur betejën ligjore.
“Rezulton që sasia minimale ka qenë 50 kg jo aq sa është thënë në fillim. Në të gjitha kolonat e katit të parë janë vendosur 50 kg tritol. Sotir Çabiri dyshohet se është një nga autorët sepse në javët e fundit ka qëndruar vetëm në hotel dhe i ka thënë pastruese se nuk ka përse të qëndrojë në punë sepse nuk ka njerëz duke e përzënë në këtë mënyrë.
Një ditë para ngjarjes ka prerë tri bileta drejt Britanisë së madhe. Diku rreth orës 5 të mëngjesit ai ka dalë dhe ka nxjerrë nga atje disa sende, përfshirë edhe një tv të shtrenjtë, është rikthyer sërish dhe në vetë, dy minuta përpara se të ndodhte shpërthimi ai është larguar nga hoteli.
Kanë qenë ekspertë personat që kanë vendosur eksplozivin, kjo është arsyeja përse dyshohet se është edhe një tjetër person. Ka punuar në mënyrë të tillë si të ishte ekspert. Në pjesën pas dyshohet që në atë mënyrë të kenë hyrë edhe bashkëpunëtorë. Deri në afërsi të Portit ka pasur dëmtime të fasadave të hoteleve dhe ka qenë një fat i madh që nuk ka pasur njerëz duke lëvizur”, ka thënë gazetarja Klodiana Lala.
Gjithashtu, ajo theksoi se kjo ngjarje duhet hetuar për të zbuluar se kush ka bashkëpunuar me Sotir Çabirin.
“Është dëshmia e pastrueses që nuk ka qenë në punë gjatë gjithë javës. Por për të montuar 50 kg tritol në kolona që janë beton, nuk është konstatuar asgjë. Si ka mundësi që Sotir që ka qenë gjithë javën në hotel nuk ka konstatuar asnjë mjet për hapjen e vrimave. Pamjet filmike, dhe të dhënat e siguruara përmes dëshmitarëve…
Fakti që ka qëndruar një javë dhe shkonte në orën dy dhe dilte të nesërmen në orët e para të mëngjesit. Si ka mundësi që nuk është konstatuar në asnjë moment që ka pasur tentativa për të hapur vrima për tritoli. Pra çështja është a do të arrijë grupi hetimit t’i japë përgjigje”, përmbylli gazetarja e kronikës.