Prokurorët e SPAK vendosin unanimisht: Nuk do të marrim pjesë te komisioni Xhafaj

3 Tetor 2024, 12:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
SPAK

Prokurorët e SPAK kanë refuzuar pjesëmarrjen në komisionin Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, e njohur edhe si komisioni “Xhafaj”.

"Në përgjigje të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se kërkesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” (Komisioni), u analizua me shumë kujdes nga ana jonë duke u trajtuar në Mbledhjen e Prokurorëve të Posaçëm të datës 03.09.2024. 

Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. 

Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të  Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit.  Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të  ofruar kontributin e saj  përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision", thuhet në njoftimin e SPAK për mediat. 

 

Video