Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur një aksion të gjerë kontrollesh në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend, me synim zbulimin dhe sekuestrimin e sendeve të paligjshme në qeli apo ambiente të tjera, të cilat futen ilegalisht nga të paraburgosurit apo të dënuarit.
Aksioni ka nisur fillimisht në IEVP Durrës, ku pak ditë më parë u ushtruan kontrolle në qelinë e kryebashkiakut të Durrësit, Erion Veliaj, në atë të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, si dhe në qelinë e ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka.
Sipas burimeve, në asnjërën prej këtyre qelive nuk u gjetën sende të paligjshme. Megjithatë, në një tjetër bllok të institucionit u zbulua një aparat celular i fshehur në një tualet, i cili u sekuestrua si provë materiale.
Kontrolle të imtësishme u zhvilluan këtë të shtunë edhe në IEVP Rrogozhinë, ku u gjetën mjete prerëse të improvizuara, karikues, pajisje elektronike dhe aksesorë komunikimi.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, aksioni do të vijojë në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit, me qëllim goditjen e çdo fenomeni të paligjshëm, pa asnjë kompromis.
Kjo lëvizje vjen menjëherë pas emërimit të Adriatik Kupit në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas largimit të Klevis Qoses.