Nga Shkodra deri në Korçë, protestat shtrihen në gjithë vendin

7 Qershor 2026, 22:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pamje nga protesta ne Korce

Qytetarët dalin në Shkodër, Korçë, Pogradec, Elbasan, Fier dhe Gjirokastër me thirrje kundër projektit dhe klasës politike

Edhe këtë të diel protestat kundër projektit në Zvërnec janë shtrirë në disa qytete, përveç Tiranës, duke përfshirë Shkodrën, Korçën, Pogradecin, Elbasanin, Fierin dhe Gjirokastrën.

Në Shkodër, qytetarë të moshave të ndryshme, përfshirë të rinj dhe fëmijë, u bashkuan në tubim duke mbajtur pankarta me mesazhe kundër sistemit politik dhe thirrje për ndryshime kushtetuese. Protestuesit vijuan me slogane që kërkonin më shumë mbështetje dhe pjesëmarrje qytetare.

Në Korçë dhe Pogradec, qytetarët marshuan me pankarta kundër klasës politike dhe ndikimit të oligarkëve. Mes pankartave u shfaqën mesazhe simbolike për mbrojtjen e mjedisit dhe kundërshtimin e projekteve të mëdha në zona të ndjeshme.

Në Elbasan, kjo është dita e tretë radhazi e protestave, ku qytetarët marshuan në bulevardin kryesor të qytetit dhe u mblodhën në qendër me pankarta në duar, duke vijuar kërkesat e tyre kundër politikave qeveritare.

Në Fier, protestat kanë hyrë në ditën e katërt radhazi, me qytetarë që kanë ngritur shqetësime edhe për problemet lokale, përfshirë mbylljen e uzinës së Ballshit dhe gjendjen e bregdetit të Darëzezës, të cilin e konsiderojnë të rrezikuar nga interesa private.

Ndërsa në Gjirokastër, dhjetëra qytetarë u mblodhën në një tubim solidarizues, duke iu bashkuar protestave që po zhvillohen në disa qytete të vendit.

Protestat në të gjithë vendin po vijojnë paralelisht me ato në kryeqytet, me kërkesa të ngjashme për ndryshime politike dhe kundërshtim të projektit në Zvërnec.


Video