Kërkoi zëvendësimin e masës ‘arrest në burg’, GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Shtufit!

2 Shtator 2026, 14:51Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Shtufi

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Ilir Shtufit për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke lënë në fuqi masën e vendosur ndaj tij në kuadër të hetimeve për grup kriminal dhe pastrim parash.

Shtufi, i cili ishte arrestuar në Greqi, është vënë në qendër të një hetimi të Prokurorisë, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza që lidhen me veprimtari kriminale dhe pastrim parash.

SPAK thotë se Ilir Shtufi vlerësohet i përfshirë në veprime të kundërligjshme të pastrimit të parave duke vepruar në funksion të Luçiano Koçekut, nëpërmjet përfshirjes në një tërësi veprimesh si: shitje, tjetërsime fiktive, për qëllime të integrimit të të ardhurave te aktivitetit kriminal te Koçeku në shoqëritë “Nova Construction” dhe “LTD”.

Nga të dhënat financiare të shoqërive “LTD” e “Nova” rezulton një rritje e konsiderueshme e qarkullimit monetar për vitet që lidhen me aktivitetin kriminal të grupit kriminal të Luçiano Koçekut dhe se nga këqyrja e komunikimeve në “SKY ECC” të Luçiano Koçekut është provuar se Ilir Shtufi dhe subjektet e tij “Nova Construction” dhe “LTD” veprojnë sipas urdhrave dhe orientimeve të Luçiano Koçekut.

Një nga pasuritë e ngritura nga paratë e drogës është edhe kulla te “Rruga e Kavajës” në Tiranë, e quajtur “Garden Building”.

Operacioni i zhvilluar më 12 qershor çoi në lëshimin e 20 masave të sigurisë. Mes personave të përfshirë në hetim janë edhe biznesmeni Artur Shehu, i shpallur në kërkim.

Po ashtu në kërkim janë Erion Rama dhe vëllai i tij Adriani, nipat e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”.

Grupi kriminal i vëllezërve Koçeku, i drejtuar nga Luçiano alias Artur Koçeku, vëllain e tij Abedin Koçeku dhe të tjerë anëtarë të familjes janë mes personave që është vendosur masa e sigurisë.

Sipas SPAK, fitimet e krijuara nga trafiku i drogës janë investuar më pas në kompani ndërtimi, prona të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike.


Video