Gjoba ndaj qytetarëve dhe lulëzimi i ndërtimeve pa leje, zbulohen arsyet e shkarkimit të Blendi Sulajt nga Bashkia e Tiranës

2 Shtator 2026, 14:24Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Blendi Sulaj

Performanca e dobët dhe mënyra e ushtrimit të kontrolleve ndaj qytetarëve duket se ishin arsyet që çuan në shkarkimin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj.

Sulaj u shkarkua sot nga kryebashkiaku Erion Veliaj, në kuadër të një vale ndryshimesh dhe largimesh nga detyra që ka nisur prej tri ditësh në Bashkinë e Tiranës.

Sipas burimeve, Sulaj dyshohet se ishte kthyer në një shqetësim për qytetarët për shkak të dërgimit të inspektorëve në terren, me fokus vendosjen e gjobave dhe masave administrative.

Nga ana tjetër, kjo qasje ndaj kontrolleve nuk është shoqëruar me të njëjtën eficiencë për zbulimin dhe ndalimin e ndërtimeve pa leje.

Ndërsa qytetarët dhe bizneset përballeshin me kontrolle dhe gjoba, ndërtime të tjera pa leje kanë vijuar në kryeqytet, duke krijuar një situatë problematike në menaxhimin dhe kontrollin e territorit të Tiranës.

Kështu, performanca e Sulajt në një prej fushave më të rëndësishme të Bashkisë, kontrollin e territorit, është vlerësuar si e dobët dhe larg pritshmërive. /VoxNews

 


Video