
Në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta.
Një vit më parë, më 2024, u nda nga jeta fizike një prej figurave më të ndritura të botës arbëreshe dhe arvanite: At Antonio Bellusci.
Me largimin e tij, kultura shqiptare humbi një prej njohësve më të thellë të identitetit dhe trashëgimisë etnografike të komuniteteve shqiptare në diasporën historike.
Por vdekja e tij nuk shënoi një fund; përkundrazi, e shndërroi figurën e tij në një burim drite të qëndrueshëm për gjithë kombin shqiptar.
At Antonio Bellusci ishte më shumë sesa një studiues, më shumë sesa një prift e më shumë sesa një arbëresh.
Ai ishte një enciklopedi lëvizëse e kulturës, historisë dhe shpirtit të komuniteteve arbëreshe dhe arvanite.
Gjatë jetës së tij të përkushtuar ndaj kërkimit, dokumentimit dhe ruajtjes së identitetit shqiptar jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, ai ndërtoi një vepër të pasur dhe të paçmuar, që shërben sot si themel për të kuptuar vetë qenien tonë kombëtare në shumë përmasa të saj.
Në vitin 2018 në Vitin Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu pata nderin dhe kënaqësinë që ta nderoja institucionalisht figurën e At Belluscit në Muzeun Historik Kombëtar, duke paraqitur veprën e tij të plotë si dhe një dokumentar mbi jetën e tij të jashtëzakonshme.
Ajo mbrëmje nuk ishte thjesht një homazh për një individ të shquar, por një moment ndriçimi për një trashëgimi që për shumë gjatë është trajtuar në periferi tëhistorisë sonë kombëtare.
Me atë rast, publiku shqiptar pati mundësinë të takojë një prej zërave më autentikë të identitetit arbëresh, një njeri që jo vetëm e njihte thellë këtë identitet, por kishte bërë gjithçka për ta ruajtur dhe për ta ndarë me botën.
At Antonio Bellusci lindi dhe jetoi në Frascineto, një prej qendrave më të rëndësishme të arbëreshëve në Kalabri.
Qysh herët ai u përfshi në jetën kishtare, por misioni i tij i vërtetë u bë dokumentimi dhe mbrojtja e trashëgimisë shpirtërore, gjuhësore dhe kulturore të komunitetit të tij. E veçanta e punës së At Belluscit ishte se ai nuk e shihte traditën si një relike të së kaluarës, por si një element të gjallë që duhej përkthyer në gjuhën e së sotmes dhe të nesërmes.
Në një kohë kur globalizimi kërcënon të sheshojë dhe të zhdukë dallimet kulturore, At Bellusci ngriti zërin për ekzistencën e një populli të padukshëm: arvanitët dhe arbëreshët.
Në veprën e tij më të njohur "Gli Arberori-Arvaniti un popolo invisibile", ai dokumenton me një ndjeshmëri të veçantë historinë, jetën, këngët dhe zakonet e këtij populli që mbijetoi për shekuj jashtë atdheut, por me zemrën gjithmonë të lidhur me të. Ndër botimet e tij më të rëndësishme mund të përmendim:
“Ricerche e studi tra gli Arberori dell’Ellade” – Një vepër monumentale që hulumton praninë shqiptare në Greqi, sidomos komunitetet arvanite, duke sjellë dokumente, dëshmi gojore dhe analiza historike që hedhin dritë mbi një aspekt pak të njohur të botës shqiptare në diasporë.
Kjo vepër është e rëndësishme jo vetëm për historinë e arvanitëve, por edhe për vetë mënyrën se si ndërtohet një identitet kolektiv përmes kujtesës dhe gjuhës.
“Gli Arberori-Arvaniti: un popolo invisibile” – Libri që e bëri të njohur ndërkombëtarisht.
Me këtë botim, At Bellusci kërkoi të bëjë të dukshëm një popull të tërë, që kishte mbijetuar pa zë në historiografitë zyrtare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Italinë dhe Greqinë moderne.
“Antologji Arbëreshe – prozë dhe poezi gojore” – Një përmbledhje e jashtëzakonshme e trashëgimisë gojore të komuniteteve arbëreshe, ku lexuesi ndesh me pasuri të rrallë idiomash, rrëfenjash, këngësh dhe ligjërimesh që nuk gjenden në tekstet zyrtare.
Me këtë libër, At Bellusci dëshmon se letërsia e një kombi nuk lind vetëm në akademi, por edhe në fshatrat, këngët dhe besimet popullore.
Një nga dimensionet më domethënëse të jetës dhe veprës së At Belluscit është përkushtimi i tij ndaj lidhjes shpirtërore dhe kulturore të diasporës historike me atdheun amë.
Ai ishte një urë mes brezave dhe mes territoreve që historia kishte ndarë por gjuha dhe gjaku i kishin lidhur përjetë.
Gjuha arbëreshe, që ai e konsideronte një pasuri të çmuar, ishte për të një formë rezistence ndaj asimilimit dhe një mënyrë për të ruajtur kujtesën kolektive.
Në të gjitha shkrimet e tij, At Bellusci theksonte nevojën e njohjes dhe mbrojtjes institucionale të këtyre komuniteteve që, edhe pse jashtë kufijve shtetërorë, janë pjesë përbërëse e shpirtit shqiptar.
Ai e shihte misionin e tij si pjesë të një misioni më të madh: të ringjalljes së ndërgjegjes kombëtare në një formë gjithëpërfshirëse, që nuk përjashton por bashkon.
Sot, një vit pas ndarjes së tij nga jeta, figura e At Antonio Belluscit mbetet jo vetëm një kujtim, por një thirrje për të gjithë ne.
Ai na mësoi se identiteti nuk është vetëm një fakt biologjik, por një zgjedhje dhe një përkushtim. Na mësoi se duhet ta duam historinë tonë, jo vetëm kur është heroike, por edhe kur është e padukshme, si historia e arvanitëve dhe arbëreshëve.
Në një kohë kur rrezikojmë të humbasim kontaktin me rrënjët tona, figura e At Belluscit na fton të kthehemi te vetvetja, të gërmojmë në kujtesë, të ruajmë gjuhën dhe zakonet, dhe mbi të gjitha – të mos harrojmë ata që ndriçuan udhët tona me sakrificë dhe dashuri.