Dosja “Çyrbja”/ Altin Hajri ndërhyn te deputeti për provat: Të prishi atë mrokllën se japim...

27 Nëntor 2024, 21:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Jurgis Cyrbja

Ishte ora 22 e datës 18 janar 2021. Ende pa kryer testin përmes dragerit policët kuptuan se shoferi ishte i dehur.

Një efektiv gjatë kontrollit, vuri re se poshtë sendiljes së shoferit ishte fshehur një armë tip “Bereta”.

Në krehër kishte dhjetë fishekë. Me hyrjen e mesnatës teksa analizat e alkoolmatësit vërtetuan dyshimet për drejtimin e një mjeti nga një shofer i dehur, një oficer krimesh firmoste urdhrin e arrestit për armëmbajtje pa leje dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur.

Por siç punonin agjentët e thjeshte për të dërguar në qeli një të dyshimtë, dikush tjetër nga një lokacion i panjohur mbasi ishte i shpallur në kërkim, po u binte telefonave për ta liruar.

Ai po përdorte aplikacionin SKY ECC si shteg komunikimi. I bindur si mijra të tjerë në të gjithë botën se sekretet e tyre do të mbeteshin të fshehta, të panjohura dhe se asnjëherë nuk do të zbuloheshin.

I arrestuari mund të kishte qenë kushdo që ndalohet në një komisariat fill pas një kontrolli dhe i gjenden sende të ndaluara.

Por në këtë rast, bënte një diferencë nga të tjerët. Ishte kunati i Altin Hajrit, një emër i lakuar në dosje të shumta e me lidhje të forta, i cili menjëherë sapo informohet për arrestimin e të afërmit nuk qëndron duarkryq. Nis telefonatat dhe personi për të cilin kërkon me doemos të lirohet quhet Julian Gjoshi, 23 vjeç i dënuar më herët.

Këtë episod, nuk mund ta dinte askush deri ditën që dosja me numër 93 ku hetoheshin rrjete të trafikut ndërkombëtar të kokainës u nda në disa të tjera më të vogla.

Një ndër to sepse kodi i SKY “BFLSI1” bënte të dyshimtë si përdorues një deputet të Parlamentit shqiptar.

Dosja e emëruar Jurgis Çyrbja fliste për biseda mes tij dhe personave të ndryshëm, që të gjithë nën verifikim. Derisa një indicie ku ai vetprezantohet se ishte xhaxhai i një të riu I fshin të gjitha aludimet e prokurorëve.

Altin Hajri komunikon me deputetin që ai të përdorë kreditet e tij për lirimin e kunatit.

“Se kanë kap kunatin tim me pistoletë. Mos bajm naj gjë, është kunati me gjith atë Bolin që rrin aty ke un. Të paktën ta mbajë një e të dalë një. Shif naj arrest shtëpie”.

Altin Hajri ndërhyn te deputeti për provat: Të prishi atë mrokllën se japim...

Bisedat me Cyrbjen nisin nga 19 janari, pra, pak orë pas arrestimit deri në 26 janar, jo shumë larg nga koha kur në Tiranë kryhen lëvizjet për ti hapur derën e qelisë 23 vjeçarit.

Derisa të arrihej ajo fitore, duhej punë dhe Altin hajri është I qartë në çfarë kërkon. Ai jep sugjerime konkrete teksa kërkon prishjen e gjilpërës së pistoletës. Për këtë, premton para’.

“Sa lek dun vec ta nxjerrim. Më fol direkt. Se duhen kapur tani. Se mos bëjnë provën, japim 10 euro vec të na e prishi atë mrokllën, se ai mar qeka vec për gishtat. Se po marove ti skam kujt me I than më, vec me prish gjilponën. Kërkoje vëlla sa lekë të dojnë, vec dua tja maroj se më mbytën kalamajt. Jepi 20 mi euro sa të dojë ai, vec ta mbarojë. Në 21 del në gjyq. Faleminderit dhe prej teje, të fala bëji mikut tat Olsit”.

Arben Braçe ka shërbyer për mbi dy dekada në Drejtorinë e Marrdhënieve Juridiksionale me Jashtë, një eksperiencë që e ka bërë të kuptojë mirë fijet mes krimit dhe zyrtarëve. Ai thotë me këmbëngulje se eksponentët e krimit të organizuar, kanë synuar përherë rekrutimin e përfaqësuesve të shtetit. Madje, nuk kanë nguruar të afrojnë edhe nëpunës të thjeshtë, tek të cilët kanë investuar për të kapur pozicione kyçe në të ardhmen. Këto investime largpamëse të krimit, janë parë fillimisht tek grupet kriminale të Fierit. Më pas, këto metoda janë adaptuar dhe janë zbatuar edhe nga i forti i Shijakut Altin Hajri, siç zbulohet në dosjen e radhës të platformës SKY.

‘Avancimi i përfaqësuesve të krimit të organizuar në veçanti , ishte shumë i madh dhe është akoma shumë i madh dhe krimi ka përparuar dhe ka përfaqësuesit e vet në organet ligjzbatuese sikurse në organet e policisë, prokurorisë, gjyqësorit dhe të politikës sikurse po i referoheni ju rastit konkret rasti i ish-deputetit Jurgis Cyrbjes.

Pra krimi ka patur një terren shumë të madh dhe një kontroll sikurse del nga këto përgjime deri në emërimin e drejtorëve të përgjithshëm të policisë, në emërimin e përfaqësueve të sovranit, të bashkive, një pejsë të deputetëve dhe i ndodhur në këto pozita krimi ka patur dhe ka akoma shumë pushtet dhe supërmaci dhe në shumë raste duke qenë se përfaqësuesit e tij në shumë raste ishin të diskredituar publikisht ata morën kurajo të fusin edhe fëmijët e tyre në përfaqësuesit e sovranit që është aq sa qesharake si veprim aq dhe e dëmshme dhe kriminal”, u shpreh Arben Braçe, ish-drejtor i ekstradimeve.


Video