Dosja “Partizani”, zbardhet dëshmia e Violeta Shqevit: Synohej modernizimi i klubeve sportive

8 Qershor 2026, 11:37Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pamje nga salla e gjyqit

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon këtë të hënë shqyrtimi i dosjes “Partizani”, me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK.

Para trupit gjykues dëshmoi Violeta Shqevi, e cila tha se në vitin 2007 ka qenë e punësuar në Ministrinë e Kulturës dhe Sporteve, ku ka mbajtur edhe detyrën e drejtoreshës së sportit. Ajo deklaroi se ka pasur gjithashtu rolin e koordinatores së Strategjisë së Sportit 2008-2020.

Sipas Shqevit, klubi shumësportësh “Partizani” administrohej nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa futbolli trajtohej veçmas. Ajo sqaroi se institucioni ku punonte menaxhonte klubin shumësportësh, me përjashtim të ekipit të futbollit.

Shqevi u ndal edhe te asetet e klubit, duke deklaruar se “Partizani” dispononte disa objekte, përfshirë një godinë dykatëshe dhe ndërtesa të tjera. Megjithatë, sipas saj, pronat nuk ishin të regjistruara dhe kishte paqartësi lidhur me pronësinë e tyre.

“Kur u shfaqën shqetësime për disa banorë që kishin zaptuar prona, nuk kemi pasur asnjëherë informacion të qartë për pronarët. Drejtoria që drejtoja u kërkoi drejtuesve të merrnin masa për regjistrimin e tyre”, deklaroi dëshmitarja.

Ajo foli edhe për ndryshimet ligjore të vitit 2007 në ligjin për sportin, duke theksuar se ato u konsideruan si një zhvillim pozitiv për sektorin.

“Në lidhje me ndryshimet ligjore të ligjit për sportin në vitin 2007, shihej si një qasje pozitive. U pa e rëndësishme që të përfshiheshin edhe të tretët dhe të krijohej mundësia që asetet të jepeshin me koncesion”, u shpreh Shqevi gjatë dëshmisë së saj.

Dëshmia

Organi i akuzës: Keni qenë e punësuar pranë Ministrisës së Kulturës dhe në cilën periudhë?

Shqevi: Kam qene e punësuar në rolin e juristes në 2007, pastaj në rolin e drejtorit të sportit. Kam qenë në rolin e kryetarit për strategjinë e sportit, qëllimi i strategjisë ka qenë zhvillimi i sportit elitar.

Prokuroria: Në lidhje me klubin Partizani a ka funksionuar kur ishit e punësuar dhe çfarë statusi ka pasur

Shqevi: Klubi ishte nën administrim e ministrisë së sporteve. Jam një ish sportiste që jam rritur në atë klub. Ne menaxhonim të gjithë klubin sportiv shumësportësh, përveç futbollit. Klubi kishte asete.

Prokuroria: Sa palestra ka pasur?

Shqevi: Ishte palestra e gjimnastikës, e basketbollit dhe Volejbollit.

Prokuroria: Kanë qenë të regjistruara?

Shqevi: Jo nuk kanë qenë të regjistruara. Drejtoria e sportit nuk ka pasur informacion zyrtar mbi ekzistencën e një pronari. Kur janë paraqitur këto kërkesa, i kam drejtuar eprorëve të mi shkresë të regjistroheshin pronat e klubit.

Prokuroria: 22.10.2007 janë miratuar ndryshime për sportin. Përcaktohet që objektet sportive mund të jepeshin me koncesion dhe jo të privatizoheshin. Keni pasur ndonjë rol?

Shqevi: Shteti kishte miratuar strategjinë që brenda afatit 2-vjeçar klubet sportive të ktheheshin në shoqëri aksionere. Ishim të vendosur të krijonim një qasje të re sepse shikonim eksperiencat ndërkombëtare.

Prokuroria: Qershor 2008 ministria e turizmit shfaqet iniciatore për ndryshimin e ligjit për sportin, ku futet edhe privatizimi

Shqevi: Drejtorisë së sportit i erdhën disa akte për të dhënë mendimin për këto ndryshime. Në 2008 ishte ngritur një grup teknik.

Violeta Shqevi: Kam qenë e punësuar pranë Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve, fillimisht si juriste në vitin 2007, më pas si drejtoreshë. Kam qenë në rolin e kryetares dhe koordinatores së Strategjisë së Sportit 2008-2020.

Qëllimi i strategjisë ka qenë zhvillimi i sportit elitar dhe i sportit masiv, gjë që do të arrihej përmes disa mekanizmave të rëndësishëm, siç ishte rritja e infrastrukturës sportive në vend. Në atë kohë, klubet sportive ishin persona juridikë publikë. Synohej modernizimi i klubeve sportive, të cilat do të kishin një qasje të re dhe duhej të ishte e qartë mënyra se si do të zhvilloheshin. Na ishte lënë një afat dyvjeçar.

Klubin Partizani e njoh si klub sportiv. Në atë kohë ne menaxhonim të gjithë klubin shumësportësh, me përjashtim të futbollit. Klubi kishte asete që nuk ishin në përgjegjësinë tonë të drejtpërdrejtë dhe për këtë arsye u shfaqën shqetësime nga drejtuesit.

Asetet ndodheshin në qendër të klubit. Zona ishte pranë shkollës “Naim Frashëri”, poshtë rrugës “Frosina Plaku”. Sipër palestrës së gjimnastikës kishte një palestër tjetër, ndërsa në një godinë tjetër zhvillohej mundja dhe disa sporte të tjera. Për ne ishte shumë i rëndësishëm zhvillimi i aktivitetit sportiv. Klubi Sportiv Partizani ishte shumë i rëndësishëm për të gjithë Shqipërinë.

Në tetor 2007 kam qenë pjesë e stafit të Drejtorisë Juridike. Sigurisht që shihej një qasje e re për zhvillimin e sportit. Shteti kishte vendosur një afat dyvjeçar për transformimin e klubeve sportive në shoqëri aksionare. U pa si e rëndësishme që të përfshiheshin edhe të tretët dhe të merreshin në konsideratë format e koncesionit.

Në vitin 2008 u ngrit një grup teknik për përcaktimin e disa objektivave strategjikë për zhvillimin e sportit, një prej të cilëve ishte infrastruktura. Drejtoria e Sportit ka qenë e qartë dhe e prerë; ne kemi kërkuar rritje të infrastrukturës sportive dhe kemi bërë përpjekje për sigurimin e sipërfaqeve, pasi ekspertët teknikë ishin shprehur se sipërfaqja sportive për frymë në Shqipëri ishte 0.008.

Ne propozuam që të zbatohej modeli rumun, sipas të cilit ministria përgjegjëse për sportin dhe qeveria do të duhej t’i zëvendësonin këto sipërfaqe në një vend tjetër. Ky ishte vendim i qeverisë, por ne duhej të ishim konsekuentë në mbështetjen e grupit teknik.

Ne ishim pro rritjes së infrastrukturës sportive, pa ndryshuar destinacionin e saj. Nuk ishim ne vendimmarrësit; ne kërkuam zbatimin e ligjit.

Violeta Shqevi: Kompetencat e mia ishin organizimi i drejtorisë përkatëse, hartimi i politikave dhe detyra të tjera në përputhje me legjislacionin. Ne nuk kishim lidhje me pasuritë e paluajtshme. Klubi sportiv, sipas ligjit, është një organizatë sportive që funksionon si shoqëri aksionare pas vitit 2005. Objektet sportive janë objektet sportive të mbyllura.

Strategjia për të cilën po punonim vazhdonte të trajtohej pranë Ministrisë së Financave. Kjo e fundit pretendonte se kostot ishin të larta. Për këtë arsye strategjia nuk mori miratimin e Ministrisë së Financave. Strategjia nuk u miratua për shkak të mungesës së fondeve gjatë vitit 2008.


Video