3 kate të ndërtuara pa leje, konfiskohet një pallat 12-katësh në Tiranë (VIDEO)

13 Maj 2026, 09:25Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pallati i sekuestruar

Një objekt prej 12 katesh në Tiranë (banimi dhe shërbimi), pranë QSUT, është konfiskuar pasi është konstatuar shkelja e lejes së miratuar pas ndërtimit të 3 kateve shtesë. Godina ndodhet në rrugën ‘Llukë Kaçaj’, aktualisht i pabanuar pasi punimet ende nuk kanë përfunduar.

Nga aksioni i përbashkët mes Komisariatit nr. 4 dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) u konstatua se objekti ishte vënë në shfrytëzim pa certifikatë përdorimi. Ndërtimi është nisur fillimisht nga ndërtuesi Mirsim Jella, i cili sipas burimeve nuk ka mundur ta përfundojë për çështje financash, dhe ka vijuar nga Adriatik Shtëmbari.

Konkretisht rezulton se në kundërshtim me lejen e miratuar janë ndërtuar rreth 2550 m² shtesë. Ky tejkalim përbën më shumë se 20% të sipërfaqes së përgjithshme të projektit të miratuar duke shkelur kufirin ligjor të përcaktuar nga Akti Normativ nr. 8, datë 01.10.2025:

Njoftimi

Konfiskohet për interes publik, objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, ndërtuar dhe përdorur në kundërshtim me ligjin.

Si rezultat i një aksioni të përbashkët ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë, nëpërmjet Drejtorisë së Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit, ndërmarrë në zbatim të ligjit dhe në mbrojtje të interesit publik, është konfiskuar për interes publik, objekt banimi dhe shërbimi, në rrugën “Llukë Kaçaj”, Njësia Administrative Nr. 4, Tiranë.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ishte ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit, kati i 10 dhe i 11 i objektit 9-katësh dhe një pjesë e katit të 12 të tij.
Gjithashtu, u konstatua se objekti ishte vënë në shfrytëzim, pa certifikatë përdorimi.

Referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025, tejkalimi rezultoi mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, kanë referuar disa herë materiale procedurale në Prokurori, për shkelje të konstatuara në këtë objekt.

Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të ngarkuara për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme dhe krimeve kundër mjedisit në tërësi.


Video