Qeveria “shpërblen” ndërtuesin Alban Bitraj, pas konfiskimit të 9 katëshit i jep leje për 30 katësh te Astiri!

17 Korrik 2025, 13:15Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Projekti i pallatit 30 katësh që do të ndërtohet te zona e Astirit në Tiranë

Çuditë në Shqipëri zgjasin vetëm disa orë dhe jo 3 ditë. I tillë është edhe ky rast që VoxNews ka hulumtuar, ku një ndërtues është “shpërblyer disa muaj pasi qeveria i konfiskoi me letra një pallat 9 katësh në Tiranë. Bëhet fjalë për ndërtuesin Alban Bitraj, i cili bashkë me dy biznesmenë të tjerë do të ndërtojnë një përbindësh në zonën e Astirit.

Leja është dhënë disa muaj më parë, ndërkohë që është zbardhur ditët e fundit nga KKTU-ja, ku ndërtimi do të bëhet në afërsi të një mbikalimi të Unazës dhe shumë afër rrugës kryesore.

Qeveria “shpërblen” ndërtuesin Alban Bitraj, pas
Faksimile: Njoftimi i KKT-së i disa muajve më parë që lajmëron edhe konfiskimin e pallatit 9 katësh të ndërtuar në shkelje të lejes

Disa muaj më parë, vetë KKT-ja ka marrë një vendim për biznesmenin Alban Bitraj. Në një pikë të vendimit shkruhet se është konfiskuar për interes publik “të sipërfaqes së ndërtuar pa leje për qëllim fitimi”.

Bëhet fjalë për objektin “godinë banimi dhe shërbime 5, 7 dhe 9 kate, me 2 parkim nëntokë”, me vendndodhje në rrugën “Kont Urani”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqërinë “Fabri D” sh.p.k. Sipas dokumenteve, firma është në pronëzi të z. Alban Bitraj, i cili është bërë pronar me 100 % në vitin 2022.

Qeveria “shpërblen” ndërtuesin Alban Bitraj, pas
Faksimile: Vendimi i KKTU-së për lejen e pallatit 30 kate mbitokë dhe 4 nëntokë në zonën e Astirit

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, disa muaj më parë KKTU ka marrë një vendim për miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për objektin “godinë banimi dhe shërbimesh me 2, 12-30 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë”, me vendndodhje në zonën e “Unazës së Re", Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqëritë “Ere Architecture & Construction", "Bega - 07" dhe z. Alban Bitraj.

Bitraj do t’a ndërtojë përbindëshin me ndërtuesin tjetër Arben Muçobega, i cili edhe ai është shpërblyer disa herë nga KKTU-ja kohët e fundit, sidomos në Himarë, Llaman dhe Dhërmi.

Qeveria “shpërblen” ndërtuesin Alban Bitraj, pas
Në foto: Projekti i pallatit 30 katësh që do të ndërtohet te zona e Astirit në Tiranë

VoxNews shfletoi dokumentet e vendimit të KKTU-së, ku theksohet se vendi ku do të ndërtohet përbindëshi 30 katësh është e formuar kryesisht nga objekte banimi, disa prej të cilave janë rindërtuar dhe riformuluar sipas standardeve të reja të banimit. “Në këtë kuadër dhe studimi i truallit në fjalë është bërë për godinë banimi dhe shërbimesh, në bazë të kondicioneve dhe normativave të përcaktuara” thuhet në vendim.

Qeveria “shpërblen” ndërtuesin Alban Bitraj, pas
Në foto: Projekti i pallatit 30 katësh që do të ndërtohet te zona e Astirit në Tiranë

Objekti do të ketë disa funksione, kryesisht për ambiente banimi dhe shërbimi. “Për sa i përket arkitekturës që arkitekti ka ndjekur, dominojnë elemente të shumtë vertikale dhe horizontale të cilat si rrjedhojë e objektit totalisht të bardhë krijojnë hijëzime të ndryshme në orë të ndryshme” thuhet në vendim.

Sipas saj, forma e objektit është në linjat e lakuara. “Objekti përbëhet nga 1 volum masiv, por krijon përshkallëzime përgjatë lartësisë, duke i dhënë dinamizëm formës, për ta sjellë sa më pranë konceptit që synohet” shkruhet në këtë vendim.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video