Dosja e AVOKATES shqiptare, 65 milionë euro para kokaine të pastruara/ Kush është bashkëshortja e VLONJATIT dhe lidhja me Dubain!

29 Maj 2024, 13:22Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Algerta Fejzulla

Në një raport të publikuar disa javë më parë për aktivitetin, natyrën dhe tendencat e krimit të organizuar në Shqipëri, SPAK evidenton rolin në rritje të vajzave në botën e errët të nëntokës.

Shihet një tendencë në rritjen e angazhimit të femrave në funksione të rëndësishme për grupet kriminale. Disa nga rolet më tipike të evidentuara në organizatat kriminale, të cilat merren me trafikun e narkotikëve, janë ato në administrimin e të ardhurave dhe mbikëqyrja e transferimit fizik dhe nëpërmjet institucioneve bankare të parave. Kryesisht femrat të cilat luajnë këto role, janë bashkëjetuese të krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm të organizatës kriminale”, thuhej në raport.

Në shtator të vitit 2023, Policia spanjolle dhe Europol goditën një grup kriminal, i cili vepronte në lëvizjen dhe pastrimin e parave të drogës dhe të aktiviteteve të tjera të paligjshme përmes transfertave.

Autoritetet spanjolle njoftuan se kishin arrestuar 27 persona, në disa provinca si Madrid, Malaga, Seville, Valencia dhe Barcelonë, pjesë e grupit, i cili kishte pastruar të paktën 65 milionë euro.

Hetimet dhe operacioni zbuloi se grupi i transferimit dhe pastrimit të parave drejtohej nga shqiptarë. Mes drejtuesve shqiptarë në skenë doli emri i Algerta Fejzulla, e dyshuar si një ndër korrieret më të sofistikuara dhe të famshme në botën e krimit për transferimin e parave të kokainës.

Në listën e personave të arrestuar nga autoritetet spanjolle është edhe Nexhmedin Danaj nga Vlora, bashkëshorti i Algerta Fejzulla, që veç dyshimeve për lidhjet me pastrimit e parave të drogës, përflitet në Tiranë edhe si konvertuese e parave të Call Centera-ve që mashtrojnë qyetarët e huaj.

Nexhmedin Danaj, i cili dyshohet se lëviz paratë e trafikut të kokainës edhe në Dubai, përmes kompanisë General Trading LLC, me seli në Dubai, është vëllai i Sadrit Danaj, ish kryetar i Qarkut të Vlorës i akuzuar nga PD-ja si një person të inkriminuar, i arrestuar për rrëmbimin e vajzës së një biznesmeni në Siçili në vitin 2000.

Çifti Algerta Fejzulla dhe Nexhmedin Danaj të dyshuar me lidhje të forta me bosët e trafikut të drogës dhe të mashtrimit me call centera, akuzohen se me paratë e aktivitetit kriminal kanë krijuar një pasuri me vlerë miliona euro nga Vlora në Tiranë, në emër të tyre dhe të afërmve.

Kush është avokatja Algerta Fejzulla e dënuar për korrupsion

Emri i zonjës Algerta Fejzulla u lakua për herë të parë në media në shkurt të vitit 2014, ku Fejzulla u arrestua në kuadër të një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria e Vlorës për korrupsion.

Algerta Fejzulla u akuzua dhe dënua në 2019 se nëpërmjet avokates në Vlorë, Dhurata Sulaj (Tafili), i mori 50 mijë lekë të reja një qytetari, me qëllim që të shtynte në kohë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor. Algerta Fejzulla u arrestua në cilësinë e drejtoreshës së Zyrës Përmbarimore të Vlorës. Ajo ishte emëruar në këtë post në vitin 2013 pas ardhjes së PS-së në pushtet.

Për këtë dosje ajo u dënua me 1.6 vite burg. Pas shlyerjes së dënimit, Fejzulla dhe bashkëshorti I saj, Nexhmedin Danaj dyshohet se kanë krijuar lidhjet me botën e krimit në Spanjë, të paktën siç konfirmohet nga provat e siguruara nga Europol.

Dubai im, maskë pastrimi parash?

Në maj të vitit 2015, Algerta Fejzulla u regjistrua si avokate në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me adresë Rruga Sulejman Delvina, Vlorë. Pas disa muajsh vendosi ta pezullojë aktivitetin si avokate. Në mars të vitin 2023, Algerta Fejzulla themelon kompaninë “Dubai im”, me adresë në Lungomare të Vlorës, me objekt; agjenci turistike, në fushën e turizmit, hoteleri, restorante, bar-kafe, import-eksport, transport për llogari të vetë dhe për të tretë, shërbime taksi, dhënie e marrje e mjeteve të transport me qera etj.

Nuk ka të dhëna për aktivitetin e kësaj kompanie, por nisur nga operacioni i Europol krijohen dyshime se ‘Dubai im’ mund të jetë përdorur për lëvizjen e parave të pista. Ndërkaq, emri i kompanisë ‘Dubai im’, duket se nuk është rastësi.

Bashkëshorti i saj, Nexhmendim Danaj, rezulton pronar i kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo kompani në Dubai ka qarkulluar miliona euro.

Nexhmendin Danaj është ortak me 30 përqind në televizionin kabllor “Vlora”, bashkë me vëllain tjetër Vexhi Danaj.

Hetimet dhe skema

Hetimi filloi si rezultat i raporteve të inteligjencës kriminale të dërguara nga Europol, falë të cilave u bë e mundur identifikimi i një organizate të përbërë nga shtetas me origjinë shqiptare, të dedikuar për trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht mbjelljen e hashashit në ambiente të mbyllura, dhe që së bashku me qytetarë me origjinë kineze, kishin formuar një strukturë komplekse në të cilën të dy grupet përfitonin avantazhe të ndërsjella dhe përfitime që rrjedhin nga aktivitetet kriminale me të cilat ata ishin përfshirë.

Gjatë hetimit, agjentët mundën të verifikonin sesi në këtë strukturë shtetasit kinezë u dërgonin bizneseve të tyre shuma të mëdha parash, në këmbim që kjo shumë të kompensohej diku tjetër, me qëllimin përfundimtar që ato para të mbërrinin në vendin e origjinës pa qenë subjekt i kontrollit përkatës ligjor ose formal në Spanjë.

Nga ana tjetër, shtetas shqiptarë duke funksionuar si një subjekt bankar, kryenin “transferimin” dhe fshehjen e shumave të mëdha të parave nga shitja e drogës dhe merrnin rifinancimin e operacioneve të reja. Hetuesit kanë mundur të zbulojnë se në krye të strukturës kriminale ndodheshin dy shtetas shqiptarë, njëri që vepronte si drejtues dhe tjetri si toger dhe kontabilist.

Të paktën që nga viti 2018, ata kishin dy koordinatorë me origjinë kineze, të cilët dyshohet se menaxhonin një “portofol” të madh me institucione të shumta aziatike të shtrira në të gjithë territorin kombëtar, me të cilat shërbenin kërkesat në para të organizatave kriminale të dedikuara për trafikun e drogës kurdo dhe kudo kishin nevojë.

Bizneset vepruan në të njëjtën mënyrë pavarësisht vendndodhjes së tyre, duke grumbulluar shuma të mëdha parash që u dërgoheshin trafikantëve të drogës në këmbim të kompensimit financiar, duke përdorur si masë sigurie një TOKEN, që zakonisht përkonte me numërimin e dyqane, një faturë me vlerë të ulët nominale.

Sipas dosjes spanjolle, gjatë periudhës së hetuar midis majit 2020 dhe marsit 2021, dërgesa të vazhdueshme dhe të shumta cash u janë bërë organizatave kriminale shqiptare, në një vlerë totale prej gati 65.5 milionë euro, në provincat e Barcelonës, Malaga, Valencia, Madrid, Sevilje dhe Alicante.

Nga ana tjetër, kreu i organizatës, me origjinë shqiptare, u arrestua si përgjegjës për veprën penale të pengmarrjes, plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje, pasi kishte rrëmbyer një nga “havaladerët”.

Pasi hetuesit gjetën anëtarët e organizatës kriminale, u zhvillua një operacion që coi në arrestimin e 27 personave në provincat e Alicante (1), Barcelona (6), Madrid (7), Málaga (7), Seville (2) dhe Valencia (1). Gjatë kontrollit u sekuestruan 615 mijë euro cash, dhjetë ora luksoze me vlerë mbi 400 mijë euro, dy automjete të nivelit të lartë, makineri numërimi parash, pajisje kompjuterike dhe celularë të koduar./Prapaskena

Video